Lifestyle

Tavolinat e qëndrimit në këmbë mund të mos jenë aq të mira për shëndetin sa mendohet

Më mirë lexojeni këtë lajm ulur: tavolinat e qëndrimit në këmbë mund të mos jenë ndihmë për shëndetin sa mendonin disa që janë.

Qëndrimi pranë tavolinës tuaj mund të krijojë "parehati dhe përkeqësim të reagimit mendor", gjë që mund të çojë në probleme të tjera me shëndetin dhe produktivitetin, raportojnë studiuesit në një studim të fundit të publikuar në revistën Ergonomics, transmeton koha.net.

Gjetjet e reja janë në kundërshtim me hulumtimet e mëparshme, të cilat sugjeronin se ulja në një tavolinë për një kohë të gjatë mund të çojë në probleme afatgjata shëndetësore. Këto gjetje në vitet e fundit çuan në atë që kompanitë të ofrojnë "tavolina të qëndrimit në këmbë", si dhe tavolina të zakonshme që ngrihen në pozitë të qëndrimit në këmbë.

Punëtorët kanë shpresuar se qëndrimi në këmbë do të çojë në humbje peshe, zvogëlimin e dhimbjes së shpinës, shëndet më të mirë të zemrës dhe produktivitet më të mirë, sepse janë më të vëmendshëm. Studimi i ri, megjithatë, e kundërshton këtë pritje, thonë studiuesit.

"Parehatia e qëndrimit të zgjatur u rrit (në të gjitha zonat e trupit), koha e reagimit dhe gjendja mendore u përkeqësuan ndërkohë që zgjidhja kreative e problemeve u përmirësua", shkruajnë hulumtuesit në studimin e ri. "Qëndrimi i zgjatur në këmbë duhet të ndërmerret me kujdes".

Për studimin e ri, të kryer në universitetin Curtin në Australi, 20 persona u vëzhguan gjatë dy orëve të punës me kompjuter duke qëndruar në këmbë në laborator. Studiuesit i ekzaminuan nivelet e parehatisë dhe funksionit kognitiv, së bashku me lodhjen e muskujve, lëvizjen, ënjtjen e gjymtyrëve të ulëta dhe gjendjen mendore.

Me kalimin e kohës, raportuan studiuesit, parehatia u rrit në të gjitha fushat e trupit dhe gjendja mendore e pjesëmarrësve filloi të ngadalësohet pas rreth 75 minutash - edhe pse vendim-marrja "kreative" u tregua të përmirësohej paksa.

"Konkludimi është se kjo përhapje e tavolinave të qëndrimit në këmbë] është nxitur më shumë nga shkaqe komerciale sesa nga dëshmitë shkencore", tha Alan Taylor, ekspert i fizioterapisë në universitetin e Nottinghamit, për The Telegraph. "Por dëshmitë tashmë po arrijnë dhe po tregojnë se ekzistojnë disa të meta".

Në vend të përdorimit të tavolinave për qëndrim në këmbë, Taylor i inkurajon njerëzit që të bëjnë më shumë ecje gjatë ditës së tyre të punës, një koncept ky që është mbështetur në studimet e mëparshme. Një studim i vogël në universitetin e Missourit në vitin 2015, ndër të tjera, rekomandoi pauza periodike 10 minutëshe për ecje.

Gjetjet e fundit gjithashtu lidhen me një studim 12-vjeçar të më shumë se 7.000 punonjësve të zyrave, të publikuar në janar, i cili zbuloi se njerëzit të cilët shpesh qëndronin në këmbë në punë kanë pothuajse dy herë më shumë të ngjarë të zhvillonin sëmundje të zemrës, në krahasim me ata që qëndronin më shpesh ulur.

"Zemra duhet të punojë shumë më shumë, trupi duhet të punojë shumë më shumë, sepse po luftoni me gravitetin kur jeni duke qëndruar në këmbë", tha Alan Hedge, hulumtues i faktorit njerëzor dhe ergonomikës në universitetin Cornell.

Legjenda: Megjithëse shqetësimet shëndetësore për qëndrimin e zgjatur në pozitë të ulur janë reale, studimet e reja sugjerojnë se tavolinat e qëndrimit në këmbë nuk janë domosdo më të mira për shëndetin - ato mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut, ndërsa parehatia nga qëndrimi në këmbë mund të ndikojë në rrjedhën e punës - dhe studiuesit thonë se njerëzit mund të kalojnë më mirë nëse thjesht bëjnë shëtitje disa herë në ditë. (Foto nga Uplift Desk)