Vaksinat ndaj koronavirusit janë kryesisht të orientuara ndaj proteinës “Spike”, proteinë që mbulon sipërfaqen e jashtme të virusit. Sidoqoftë, qelizat e rralla “T” ishin në gjendje të hynin brenda virusit dhe të gjenin proteinat që nevojiten për shumimin e virusit
Zbulimi se si disa njerëz i rezistojnë natyrshëm infektimit me COVID-19, pavarësisht se janë të ekspozuar ndaj virusit, mund të shpjerë në zbulimin e vaksinave më efektive, kanë konfirmuar studiuesit.
Një ekip i shkencëtarëve nga Universiteti College i Londrës kanë thënë se disa njerëz patën shkallë të lartë të imunitetit ndaj koronavirusit para se të fillojë pandemia.
Sipas të gjitha gjasave, kjo ndodhi për shkak se trupi i njeriut u mësua të luftojë ndaj viruseve të ngjashëm si ky i fundit që ka spastruar botën.
Përmirësimi në kualitet i vaksinave në mënyrë që ta imitojnë këtë lloj mbrojtjeje, mund t’i bëjnë përpjekjet edhe më efikase, konstaton ekipi.
Shkencëtarët po monitoronin nga afër ekipin spitalor gjatë valës së parë të pandemisë - përfshirë edhe marrjen e mostrave të gjakut në mënyrë konstante.
Pavarësisht se ishin në një ambient me shkallë të lartë të rrezikshmërisë, jo të gjithë pjesëmarrësit e studimit u infektuan me COVID-19. Rezultatet që u publikuan në gazetën “Nature”, treguan që disa njerëz thjesht ishin në gjendje të shmangnin infektimin me virus.
Por, rreth një nga dhjetë pjesëmarrësit pati shenja të ekspozimit, por megjithatë ata nuk shfaqnin simptoma, nuk rezultuan pozitivë dhe asnjëherë gjaku i tyre nuk prodhonte antitrupa kundër koronavirusit.
Një pjesë e sistemit të tyre imunitar ishte në gjendje të fitonte ndaj virusit para se ky të ngadhënjente - proces që njihet si “infeksioni abortiv”.
Mostrat e gjakut treguan që këta njerëz veçse kishin pasur qelizat mbrojtëse T (qeliza të bardha të gjakut që mbrojnë sistemin imunitar), të cilat njohin dhe mbysin qelizat e infektuara me koronavirus.
Doktori Leo Swadling, një nga studiuesit e hulumtimit, nënvizoi që sistemi imunitar i tyre ishte tashmë “i furnizuar” që ta luftonte sëmundjen e re.
Qelizat “T” ishin në gjendje të diktonin një pjesë të veçantë të virusit për dallim nga shumica e vaksinave të deritashme që e ushtrojnë vetë sistemin imunitar për gjetjen e virusit.
Vaksinat ndaj koronavirusit janë kryesisht të orientuara ndaj proteinës “Spike”, proteinë që mbulon sipërfaqen e jashtme të virusit. Sidoqoftë, qelizat e rralla “T” ishin në gjendje të hynin brenda virusit dhe të gjenin proteinat që nevojiten për shumimin e virusit.
Swaddling shtoi se “ata punëtorë shëndetësorë që ishin në gjendje ta kishin nën kontroll virusin para se ai të ishte i dukshëm, ishin më të prirë që të kishin qelizat “T” para fillimit të pandemisë”.
Ky lloj i proteinave të brendshme është shumë i ngjashëm me të gjitha llojet e koronavirusit, duke përfshirë edhe ata që janë përhapur dhe që shkaktojnë simptoma të zakonshme të të ftohurit. Kjo nënkupton që targetimi i këtyre proteinave me vaksinë do ta bënte të mundur mbrojtjen ndaj të gjithë koronaviruseve dhe ndaj varianteve të reja të COVID-19.
Ekipi i shkencëtarëve vuri në pah që edhe pse vaksinat aktuale po bëjnë një punë të mrekullueshme sa i përket parandalimit të përkeqësimit të gjendjes së njerëzve, ato nuk janë edhe aq të suksesshme sa i përket ndalimit të infektimit me COVID-19.
“Mendoj që të gjithë ne e kemi vërejtur që ata mund të bëjnë më mirë. Ajo se çfarë po shpresojmë ne është që me përfshirjen e këtyre T-qelizave, ata do të jenë në gjendje të mbrojnë ndaj infektimit dhe sëmundjes, dhe gjithashtu shpresojmë që ata do të bënin më mirë sa i përket njohjes së varianteve të reja që po shfaqen”, ka thënë profesoresha Mala Maini.
Përderisa pothuajse të gjithë të jenë infektuar me koronaviruset e zakonshëm, jo të çdonjëri do të jetë pajisur me llojin e duhur të qelizave mbrojtëse “T”.
Mund të jetë që punonjësit shëndetësorë u ekspozohen rregullisht viruseve për shkak të punës së tyre dhe kjo është arsyeja se pse disa prej tyre ishin të mbrojtur.
Doktor Alexander Edward nga Universiteti i Readingut u shpreh se: “Gjetjet e këtij studimi mund të jenë vendimtare në dizajnimin e një lloji të veçantë të vaksinës”.
“Shpresojmë që ky studim të shpjerë në avancimet e mëtutjeshme në zbulimin e vaksinave, pasi që ne duhet të zbulojmë sa më shumë vaksina që mundemi”, përfundoi ai.
Përktheu: Sokol Berisha