Studiuesit e Universitetit në Tel Aviv kanë zhvilluar një platformë të re që mundëson dërgimin e dy ilaçeve kundër kancerit në të njëjtën kohë te tumoret specifike, duke rritur efektivitetin e trajtimit dhe duke zvogëluar efektet anësore.
The Jerusalem Post ka raportuar se studimi që është publikuar në revistën “Science Advances”, u udhëhoq nga profesori Ronit Satchi-Fainaro dhe studenti i doktoratës Shani Koshrovski-Michael nga Departamenti i Fiziologjisë dhe Farmakologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Tel Avivit.
Ata u bashkuan me profesorë të tjerë nga Universiteti i Tel Avivit dhe hulumtues nga Instituti Izraelit i Hulumtimeve Biologjike, Italia, Portugalia dhe Holanda.
Metoda e re për dërgimin e ilaçeve
“Trajtimet aktuale të kancerit shpesh përfshijnë kombinime barnash. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve në vetitë e barnave, si norma e shkatërrimit dhe kohëzgjatja e qarkullimit, barnat nuk arrijnë gjithmonë te tumori në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë që efektet e tyre të kombinuara nuk realizohen plotësisht. Metoda jonë e re siguron që barnat të dërgohen së bashku, duke maksimizuar ndikimin e tyre terapeutik dhe minimizuar toksicitetin”, ka shpjeguar Satchi-Fainaro në një njoftim për shtyp.
Hulumtuesit zhvilluan nano-copëza që shpërbëhen në ujë dhe dioksid karboni brenda një muaji dhe përdorën këto nano-copëza për të mbështjellë dy barna të ndryshme kundër kancerit.
Këto nano-copëza udhëhiqen drejt tumoreve duke synuar P-selektin, një proteinë që gjendet në qelizat kancerogjene si dhe në enët e reja të gjakut që krijohen nga këto qeliza për t’i furnizuar ato me ushqyes dhe oksigjen.
Kur arrijnë te tumori, nano-copëzat dërgojnë pengues, (substanca që përdoren për të penguar ciklin e ndarjes së qelizave), të miratuar nga FDA-ja që përdoren për trajtimin e kancerit të lëkurës (BRAF dhe MEK) ose pengues për zhvillim të kancerit të gjirit (PARP dhe PD-L1).
Rezultatet e testimeve
Testet në modelet e qelizave të kancerit 3D dhe modelet te kafshët kanë dhënë rezultate premtuese.
Tumoret u tkurrën ndjeshëm, duke shtyrë kohën deri në përparimin e sëmundjes 2.5 herë më shumë krahasuar me trajtimet standarde.
Trajtimet me nano-copëza e kanë zgjatur jetën e minjve dy herë më shumë se ata që morën barnat aktuale dhe tri herë më shumë se ata që nuk morën trajtim.
Nano-copëzat treguan rezultat edhe në trajtimin e disa llojeve të kancerit në metastazë në tru, pa dëmtuar indet e shëndetshme të trurit.
“Gjetëm se kombinimet e barnave të dërguara në këtë mënyrë e përmirësuan ndjeshëm efektin terapeutik në kanceret e lëkurës me mutacione BRAF dhe kanceret e gjirit me mutacione BRCA dhe metastazat e kancerit në tru” ka thënë Satchi-Fainaro në njoftimin për shtyp.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se kjo platformë e re mund të përshtatet më tej për trajtimin e kancereve të tjera, si glioblastoma dhe kanceri i pankreasit, duke hapur mundësi për avancimin e terapive kundër kancerit.