Lifestyle

Studimi: Vaksina kundër herpesit zvogëlon rrezikun nga demenca

Vaksinimi

Vaksinimi

Një studim i fundit në Uells ka zbuluar prova të forta se vaksina kundër herpesit zvogëlon rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së demencës. Të dhënat nga mbi 280,000 të moshuar kanë treguar se ata që kishin marrë vaksinën “Zostavax”, e cila është përdorur më pak kohët e fundit, kishin 20% më pak gjasa për t’u diagnostikuar me demencë në shtatë vjetët e ardhshme krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar, ka raportuar The Guardian.

“Për herë të parë mund të themi me shumë më tepër siguri se vaksina kundër herpesit zvogëlon rrezikun nga demenca. Nëse kjo është me të vërtetë një lidhje shkakësore, kemi një zbulim me rëndësi të jashtëzakonshme”, ka thënë Pascal Geldsetzer nga Universiteti i Stanfordit.

Studimi ka përfituar nga një program vaksinimi i zhvilluar në Uells më shumë se një dekadë më parë. Nga 1 shtatori i vitit 2013, personat e lindur më 2 shtator 1933 ose më vonë, ishin të kualifikuar për vaksinën “Zostavax”, ndërsa ata që ishin më të vjetër nuk e morën atë. Kjo ndarje natyrore e popullatës ka lejuar studiuesit të krahasojnë normat e demencës tek ata që ishin lindur në një periudhë të afërt, por që kishin qasje të ndryshme ndaj vaksinës.
Duke marrë parasysh se jo të gjithë të kualifikuarit e morën vaksinën, studiuesit kanë përcaktuar se vaksinimi ka sjellë reduktim prej 20% të rrezikut të demencës, me efektin më të fortë të vërejtur te gratë.

Profesori i politikave të kujdesit shëndetësor në Harvard Medical School, Anupam Jena, e ka cilësuar këtë zbulim me “implikime të thella”.

Si ndikon vaksina në reduktimin e rrezikut të demencës?

Demenca prek më shumë se 55 milionë njerëz në mbarë botën dhe është shkaku kryesor i vdekjes në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa disa ilaçe të reja mund të ngadalësojnë sëmundjen, nuk ka ende një kurë.

Kur njerëzit infektohen me li të ujit, virusi mbetet i fjetur në qelizat nervore për gjithë jetën. Megjithatë, me kalimin e moshës dhe dobësimin e sistemit imunitar, ai mund të riaktivizohet dhe të shkaktojë herpes. Studiuesit kanë deklaruar se besojnë që vaksinimi mund të ndihmojë në parandalimin e këtij riaktivizimi, duke zvogëluar inflamacionin në sistemin nervor, faktor që lidhet me zhvillimin e demencës.

Studimi i fundit, i botuar në revistën “Nature”, nuk është i pari që sugjeron këtë lidhje. Kur vaksina “Zostavax” u prezantua në SHBA në vitin 2006, disa studime kanë zbuluar norma më të ulëta të demencës tek të vaksinuarit. Vitin e kaluar, një studim i Universitetit të Oksfordit ka raportuar efekt mbrojtës edhe më të madh tek ata që morën vaksinën më të re, “Shingrix”.

“Ndërsa ende nuk e kuptojmë saktësisht se si vaksina kundër herpesit ul rrezikun e demencës, implikimet e këtij studimi janë të thella. Vaksina mund të përfaqësojë një ndërhyrje me kosto të ulët dhe përfitime të mëdha shëndetësore përtej qëllimit të saj fillestar”, ka thënë Jena.

Julia Dudley, drejtoreshë e studimeve në Alzheimer’s Research UK, ka thënë se ky studim e forcon lidhjen mes vaksinimit dhe reduktimit të rrezikut nga demenca.

“Ndërsa studimet e mëparshme kanë sugjeruar një lidhje, ky hulumtim ofron prova më të forta të ndikimit të drejtpërdrejtë, veçanërisht te gratë”, ka thënë Julia Dudley.

Nga ana tjetër, Maxime Taquet nga Universiteti i Oksfordit ka thënë se efektet më të forta të vërejtura te vaksina “Shingrix” mund të lidhen me substancat që e bëjnë përgjigjen imunitare më të fuqishme.

“Të dyja studimet mbështesin hipotezën se vaksinimi kundër herpesit ul rrezikun nga demenca, me vaksinën më të re që ofron mbrojtje më të fortë”, ka thënë Taquet.

Në të ardhmen, “Geldsetzer” po kërkon financime nga fondacione private për të realizuar një provë klinike të rastësishme, e cila do të mund të konfirmonte përfitimet e vaksinës në parandalimin e demencës.