Lifestyle

Studimi, të punosh katër ditë në javë “ul stresin dhe sëmundjet pa ndikuar në produktivitet”

Deri së fundi, perspektiva që të punosh katër ditë në javë ishte vetëm dëshirë për shumicën e punonjësve.

Por, një studim ka zbuluar se zvogëlimi nga pesë në katër ditë pune në javë, do të rriste mirëqenien e punonjësve ndërsa nuk ka ndikim në produktivitet, shkruan “The Sun”.

Mjekët sugjerojnë se katër ditë pune në javë mund të jetë si opsion për disa kompani.

Studiuesit britanikë zbuluan se 71 për qind e punonjësve të përfshirë në këtë testim gjashtëmujor, përjetuan më pak “burnout” që lidhet me punën.

Rreth 39 për qind thanë se zvogëlimi në katër ditë pune në javë bëri që ata të ndiheshin më pak të stresuar, krahasuar se si ndiheshin para fillimit të testimit.

Pati një reduktim prej 65 për qind të pushimeve të marra për shkaqe shëndetësore dhe një rënie prej 57 për qind të punonjësve që japin dorëheqje, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.

Të ardhurat, për të gjitha 61 kompanitë të përfshira në testim, shumë pak ndryshuan për periudhën gjashtëmujore – madje u rritën pak, me 1.4 për qind mesatarisht.

Drejtuesi i këtij studimi, profesori Brendan Burchell nga Universiteti i Cambridget, tha: “Shumë punonjës ishin më të etur për të gjetur efikasitet për përfitime të veta. Takimet e gjata me shumë njerëz u shkurtuan apo u ndërprenë plotësisht. Punonjësit ishin më pak të prirë për ta kaluar kohën dhe në mënyrë aktive kërkonin teknologji për të përmirësuar produktivitetin e tyre”.

Joe Ryle, drejtor i “Kampanjës 4 ditë në javë”, i quan rezultatet e studimit si “moment i rëndësishëm” për idenë që të shkurtohen ditët e punës gjatë javës.

“Në një gamë të gjerë sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, këto rezultate të jashtëzakonshme tregojnë se katër ditë pune në javë në fakt funksionon”, tha ai.

Në provë u përfshin 2900 punonjës që punonin në role të ndryshme, si konsulencë, patundshmëri, IT, kujdes për lëkurën, rekrutim, mikpritje, marketing dhe kujdes shëndetësor.

Disa kompani e ndërprenë plotësisht punën gjatë tri ditëve pushimi gjatë javës, ndërsa të tjerat kishin një fuqi më të reduktuar të punëtorëve gjatë javës.

Dhe në fund të provës gjashtëmujore, shumë nga menaxherët thanë se nuk mund të imagjinonin të ktheheshin në rutinën e punës pesë ditë në javë.

Në një raport të gjeteve, thuajse 92 për qind e kompanive që morën pjesë në pilot-programin në Britani të Madhe, thanë se planifikonin të vazhdonin me rutinën e katër ditë në javë punë.

“Kur pyesim punëdhënësit, shumë prej tyre janë të bindur se java katërditore e punës do të ndodhë”, thotë profesori Brendan.

Në nëntor të vitit të kaluar Banka Atom dhe firma e famshme botërore e marketingut “A]in”, zbuluan se do të miratonin planin katër ditë pune në javë.