Një studim i ri sugjeron se teknologjia mund të ndihmojë trurin gjatë plakjes, duke e ulur rrezikun për demencë. Studiues nga dy universitete në Teksas kanë analizuar 57 studime me mbi 411,000 të moshuar dhe kanë zbuluar se përdorimi i teknologjisë lidhej me 42% rrezik më të ulët për dobësim kognitiv, përfshirë demencën dhe çrregullimet e kujtesës, ka raportuar CNN.
Teknologjia e analizuar përfshinte kompjuterë, telefona të mençur, email, internet, rrjete sociale apo një kombinim të tyre.
“Truri që është aktiv në rini dhe në moshë të mesme është tru më rezistent në pleqëri”, ka thënë doktori Amit Sachdev nga Universiteti Shtetëror i Michiganit, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Studimi, i publikuar në revistën Nature Human Behavior, sfidon teorinë e ashtuquajtur “demenca dixhitale” që pretendon se teknologjia mund të dëmtojë kujtesën dhe funksionin mendor.
Sipas autorëve, ky është një ndër studimet më të plota të fushës në 20 vjetët e fundit dhe nuk ka gjetur asnjë provë që teknologjia rrit rrezikun për demencë. Madje, edhe pas marrjes parasysh të faktorëve si arsimi, të ardhurat dhe stili i jetesës, lidhja mes teknologjisë dhe shëndetit të trurit mbeti e fortë.
“Ky është një nga ato rastet e rralla ku asnjë studim nuk raportoi ndonjë rrezik të shtuar për aftësitë mendore nga përdorimi i teknologjisë”, ka thënë bashkëautori i studimit, doktori, Michael Scullin nga Universiteti Baylor.
A është kjo një arsye për të përdorur teknologjinë pa kufi?
Por, a është kjo një arsye për të përdorur teknologjinë pa ndonjë kufi. Jo domosdoshmërisht. Studiuesit kanë theksuar se nuk bëhet fjalë për përdorim të pakontrolluar, por për përdorim të matur dhe të qëllimshëm, që përfshin lidhje sociale, kreativitet dhe stimulim intelektual.
“Nuk po themi që të kalosh orë të tëra duke bërë ‘scroll’ pa mendim është e dobishme. Por brezi që krijoi internetin ka gjetur mënyra për të marrë përfitime të mirëfillta për trurin nga këto mjete”, ka thënë doktori Jared Benge nga Universiteti i Teksasit në Austin.
Megjithatë, autorët pranojnë se mungojnë të dhëna të detajuara për si dhe sa përdorej teknologjia. Kjo e bën të vështirë përcaktimin e dallimit mes përdorimit të shëndetshëm dhe atij të dëmshëm.
“Ekspozimi ndaj teknologjisë është i madh dhe e bën të vështirë të dallosh efektet individuale”, ka thënë Sachdev.
Teoria e "rezervës njohëse", një shpjegim i mundshëm
Studimi mbështet teorinë e “rezervës njohëse”, që thotë se angazhimi mendor në detyra të ndërlikuara (si përdorimi i teknologjisë) ndihmon trurin të ruajë funksionet e tij më gjatë, edhe kur ai plaket natyrshëm.
“Përdorimi i teknologjisë mund të na ndihmojë të jemi më të lidhur socialisht dhe vetmia është një faktor rreziku për demencën”, ka shtuar Sachdev.
Sidoqoftë, mbetet e paqartë nëse përdorimi i teknologjisë nxit funksionin mendor, apo nëse personat me tru më të shëndetshëm janë thjesht më të aftë për të përdorur teknologjinë.
Çfarë mund të mësojmë nga ky studim?
“Duhet të jetë produktive në ndonjë mënyrë. Argëtimi është i pranueshëm, por nëse ndjeni dhimbje qafe apo sysh nga ekrani, është koha të bëni një pushim”, ka thënë Sachdev.
Sipas Schullin, lajm i mirë është se edhe të moshuarit me probleme të lehta të kujtesës mund të mësojnë t’i përdorin pajisjet teknologjike.
“Vështirësitë gjatë mësimit janë pjesë e stimulimit mendor, që mund të jetë i dobishëm për trurin”, ka përfunduar ai.