Lifestyle

Ndryshimi që mund të ulë ndjeshëm ekspozimin ndaj mikroplastikës

Mikroplastika

Mikroplastika

Foto: Associated Press

Mikroplastika është e pranishme kudo, në produktet e bukurisë, detergjente, madje edhe në ushqim. Studimet kanë treguar se grimcat plastike, më të vogla se një kokërr orizi, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin riprodhues, tretës dhe respirator, madje duke rritur rrezikun për kancer të zorrës së trashë dhe mushkërive.

Një studim i ri i botuar në Genomic Press ka treguar se ndryshimi nga uji në shishe plastike në ujë të filtruar nga çezma mund të ulë ndjeshëm konsumimin e mikroplastikës, nga 90,000 grimca në vetëm 4,000 në vit, ka raportuar The New York Post.

“Duke qenë se mikroplastika është kudo në mjedis, eliminimi i plotë i saj është i pamundur. Një qasje më praktike është reduktimi i burimeve më të mëdha të ekspozimit ndaj saj”, kanë shkruar studiuesit në Genomic Press.

Uji në shishe, burim kryesor i mikroplastikës

Uji në shishe plastike ishte pija e paketuar më e konsumuar në SHBA vitin e kaluar, me 61.3 miliardë litra të konsumuara, sipas të dhënave të industrisë. Problemi qëndron në faktin se grimcat e mikroplastikës shkëputen nga sipërfaqja e brendshme e shishes dhe kalojnë në ujë, sidomos kur shishja shtrydhet ose ekspozohet ndaj nxehtësisë.

Për ata persona që nuk janë gati të heqin dorë nga uji në shishe ose nuk kanë një filtër për ujin e çezmës, studiuesit kanë sugjeruar masa të tjera për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikës.

Si të reduktohet ekspozimi ndaj mikroplastikës?

Përveç ujit të ambalazhuar, burime të tjera kryesore të mikroplastikës janë alkooli dhe ushqimet e detit. Po ashtu, një nga hapat më efektivë është shmangia e ngrohjes së ushqimit në enë plastike.

“Ngrohja e ushqimit në plastikë mund të çlirojë deri në 4.22 milionë grimca mikroplastike për centimetër katror në vetëm disa minuta”, kanë theksuar studiuesit

Ekspertët sugjerojnë gjithashtu:

Përdorimin e enëve prej xhami ose çeliku për ruajtjen e ushqimeve.
Kufizimin e konsumimit të ushqimeve të konservuara dhe të përpunuara.
Zëvendësimin e produkteve të përpunuara industrialisht me ushqime të freskëta.

Një shembull konkret është se mishrat e përpunuar, si “chicken nuggets”, përmbajnë 30 herë më shumë mikroplastikë për gram sesa pjesët e freskëta të mishit të pulës. Kjo ndodh për shkak të përdorimit të plastikës gjatë proceseve industriale.

Mikroplastika dhe ndikimi i saj në shëndet

Sipas një studimi, një amerikan thith dhe gëlltit rreth 39,000 derinë 52,000 grimca mikroplastike në vit. Këto grimca janë zbuluar në placenta, veshka, mushkëri, mëlçi, testikuj dhe gjak.

Një studim alarmues i botuar muajin e kaluar ka treguar se truri i njeriut përmban rreth një lugë çaji mikroplastikë të grimcuar.

“Mikroplastika mund të dëmtojë qelizat e zorrëve, të shkaktojë inflamacion dhe të prishë ekuilibrin e baktereve në sistemin tretës”, thuhet në studim.

Studiuesit kanë bërë thirrje për më shumë kërkime mbi efektet afatgjata të mikroplastikës dhe për vendosjen e kufijve të qartë mbi ekspozimin ndaj saj.