Lifestyle

Spitalet testojnë teknologjinë me AI për parashikimin e rrezikut ndaj diabetit të tipit 2

Spitalet në Britani testojnë teknologjinë me AI

Spitalet në Britani testojnë teknologjinë me AI

Dy spitale në Londër janë duke përdorur teknologjinë me AI (inteligjencë artificiale) për të testuar nëse mund të zbulojë rrezikun për diabetin e tipit 2, deri në 10 vjet përpara se të ndodhë.

BBC ka shkruar se spitalet “Imperial College” dhe “Chelsea and Westminster” kanë filluar trajnimin e një sistemi me AI të quajtur “Aire-DM”, i cili i kontrollon gjurmët e zemrës (ECG) të pacientëve për shenja të hershme paralajmëruese që janë të vështira për t’u zbuluar nga mjekët.

Sistemi i AI-së është në fazën e provave klinike dhe janë planifikuar eksperimente për vitin 2025 për të parë nëse funksionon ashtu siç pritet.

Disa nga hulumtimet e para sugjerojnë se sistemi mund të zbulojë rrezikun për diabet në rreth 70 për qind të rasteve.

“Është shumë e mirë vetëm me të dhënat e ECG-së, por bëhet akoma më mirë kur shtoni faktorë të tjerë të rrezikut, si mosha, gjinia dhe nëse pacienti ka tashmë presion të lartë të gjakut ose është mbipeshë”, ka shpjeguar doktori Fu Siong Ng, udhëheqës i studimit.

ECG (elektrokardiogrami) regjistron dhe mund të zbulojë problemet me aktivitetin elektrik të zemrës, përfshirë normën dhe ritmin e saj.

Doktori Fu ka thënë se ndryshimet në ECG që sistemi i AI-së i zbulon janë shumë të ndryshme dhe të hollësishme për t’u interpretuar me sy nga mjekët edhe me përvojë të madhe.

Pjesë e këtij eksperimentimi do të jenë deri në 1,000 pacientë të cilëve do t’u bëhen skanime ECG në të dy spitalet, për të parë nëse ndihmon në parashikimin e sëmundjes.

Sidoqoftë, kjo teknologji nuk do të ofrohet ende në mënyrë rutinore, por ekspertët shpresojnë se mund të zbatohet më gjerësisht nëpër spitale në pesë vjetët e ardhshëm ose më shumë.

British Heart Fondacion, i cili financon këtë punë, ka deklaruar se identifikimi i njerëzve me rrezik për diabet mund të shpëtojë jetë.

“Diabeti i tipit 2 i pakontrolluar mund të çojë në sulme në zemër dhe në tru”, ka thënë profesori Bryan Williams, drejtor në British Heart Fondashion.

Ai e ka cilësuar këtë hulumtim si mundësi që mund të ndryshojë lojën për parashikimin e rrezikut të diabetit të tipit 2, shumë vite përpara se kjo sëmundje të shpërthejë.

Diabeti i tipit 2 është problem i shpeshtë shëndetësor ku niveli i glukozës, apo sheqerit në gjak, bëhet shumë i lartë. Kjo ndodh kur trupi nuk mund të prodhojë hormonin e quajtur insulinë, i cili kontrollon nivelin e sheqerit në gjak. 

Ndërkohë, diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune.