Lifestyle

Sipas ekspertëve, obeziteti ka nevojë për përkufizim të ri

Obezitet

Një raport global sugjeron që obeziteti ka nevojë për një përkufizim të ri, duke theksuar se shumë njerëz po diagnostikohen si obezë dhe se duhet një përkufizim “më i saktë dhe i detajuar”. 

Sipas ekspertëve, mjekët duhet të marrin parasysh shëndetin e përgjithshëm të pacientëve me yndyrë të tepërt, në vend që të mbështeten vetëm në Indeksin e Masës Trupore (BMI).

Raporti propozon që ata me sëmundje kronike të shkaktuara nga pesha e tepërt të diagnostikohen me “obezitet klinik”, ndërsa ata pa probleme shëndetësore të quhen “obezitet paraklinik”.

Më shumë se një miliard njerëz pritet të jetojnë me obezitet në mbarë botën dhe kërkesa për ilaçe për humbje peshe është e lartë, ka shkruar BBC.

Raporti, i botuar në revistën The Lancet Diabetes & Endocrinology, mbështetet nga më shumë se 50 ekspertë mjekësorë nga e gjithë bota.

“Riformulimi” i obezitetit

“Obeziteti është një spektër. Disa e kanë dhe arrijnë të jetojnë jetë normale, të funksionojnë si duhet. Të tjerë kanë vështirësi të ecin, të marrin frymë, ose janë të mbështetur në karrocë e kanë  probleme të rënda shëndetësore”, ka thënë profesori Francesco Rubino, nga Kolegji Mbretëror i Londrës, që udhëhoqi grupin e ekspertëve. 

Raporti thotë se është i nevojshme një “riformulim” i obezitetit për të dalluar mes pacientëve që kanë sëmundje dhe atyre që mbeten të shëndetshëm, por që rrezikohen për sëmundje në të ardhmen. Aktualisht, në shumë shtete, obeziteti përkufizohet si një BMI mbi 30, një matje që vlerëson yndyrën e trupit bazuar në gjatësinë dhe peshën.

Përkufizimi i ri i obezitetit

“BMI nuk tregon asgjë për shëndetin e përgjithshëm të pacientëve”, thuhet në raport, dhe nuk dallon mes muskujve dhe yndyrës trupore, as nuk merr parasysh yndyrën më të rrezikshme rreth belit dhe organeve. Ekspertët argumentojnë për një model të ri që të shikojë shenjat e obezitetit që ndikojnë në organet e trupit, siç janë sëmundjet e zemrës, vështirësitë në frymëmarrje, diabeti i tipit 2 ose dhimbjet e nyjave, dhe ndikimin e dëmshëm që ato kanë në jetën e përditshme. Kjo tregon që obeziteti ka kaluar në një sëmundje klinike dhe kërkon trajtim me ilaçe.

Personave me “obezitet paraklinik” duhet t’u ofrohen këshilla për humbje peshe dhe monitorim për ta reduktuar mundësinë e zhvillimit të problemeve shëndetësore.

Trajtimi i panevojshëm

“Obeziteti është rrezik për shëndetin, dallimi është se për disa është edhe sëmundje”, ka thënë Rubino.

Ai shtoi se përkufizimi i ri është i arsyeshëm për të kuptuar nivelin e rrezikut në një popullatë të madhe, në vend të “pamjes të paqartë të obezitetit”.

Raporti sugjeron që matjet si raporti i belit dhe gjatësisë, ose matja direkte e yndyrës, së bashku me një histori të detajuar mjekësore, mund të japin një pasqyrë shumë më të qartë se BMI.

Profesoresha Louise Baur, eksperte e obezitetit te fëmijët në Universitetin e Sydneyt dhe kontribuese në raport, ka thënë se kjo qasje do të lejonte që të rriturit dhe fëmijët me obezitet “të marrin kujdes më të përshtatshëm”, duke reduktuar gjithashtu numrin e diagnostikimeve të tepërta dhe trajtimet e panevojshme.

Të ardhurat e kufizuara

Kolegji Mbretëror i Mjekëve ka deklaruar se raporti ka hedhur një themel të fortë për trajtimin e obezitetit me po të njëjtin rigorozitet dhe dhembshuri mjekësore si sëmundjet e tjera kronike. Dallimi mes obezitetit paraklinik dhe klinik do të ishte “hap i rëndësishëm përpara”, duke theksuar nevojën për identifikim dhe ndërhyrje të hershme.

Megjithatë, ka shqetësime se presioni mbi buxhetet e shëndetësisë mund të sjellë më pak të ardhura për ata në kategorinë e “paraobezitetit”.

Profesori Sir Jim Mann, bashkëdrejtor i Qendrës për Studimin e Diabetit dhe Obezitetit në Otago, Zelandë të Re, ka thënë se theksi do të ishte “tek ata që janë të përcaktuar si obezë-klinikë” dhe është shumë e mundshme që “të ardhurat e pakta” të drejtohen kah ata.