Lifestyle

Si të parandalohet helmimi nga tiganët që nuk ngjisin ushqimin

Tiganët

Tiganët

Vitin e kaluar në SHBA janë raportuar shumë raste të helmimit nga tiganët jo ngjitës. Kjo ka ndodhur për shkak të temperaturave të larta mbi të cilat është vendosur tigani për ta gatuar ushqimin.

Këto lloj tiganësh përbëhen nga kimikale të përhershme që quhen “PFAS” dhe janë shumë të dëmshme për shëndetin, sepse kur nxehen tej mase lirojnë substanca të cilat shkaktojnë helmim, shkruan “New York Post”.

Simptomat nga helmimi me këto kimikale janë të përafërta me ato të gripit të zakonshëm, prandaj shumë raste mund edhe të mos jenë raportuar.

“Kur këto tiganë vendosen mbi pllaka me temperaturë shumë të lartë, shkaktohet djegia dhe lirohen një përzierje të substancave të oksiduara, prandaj edhe thuhet se nuk duhet që tiganët nga tefloni të nxehen shumë”, ka thënë profesori i kimisë nga Universiteti i British Columbia, Zachary Hudson.

Në një studim që është bërë në Gjermani, studiuesit analizuan emetimin e kimikaleve PFAS kur tigani ri në pllakë tepër të nxehtë për 30  minuta. Ata kanë gjetur se sa më e lartë që ishte temperatura, aq më i lartë ishte emetimi i kimikaleve të rrezikshme.

Rrezik edhe më i madh vjen nga gërvishtja e këtyre tiganëve. Në një studim australian është gjetur se nga një gërvishtje e vogël lirohen më shumë se 9100 copëza plastike.

Ekspertët rekomandojnë ndërrimin e tiganit menjëherë pasi të vërehet ndonjë gërvishtje.

Sidoqoftë besohet se tymi që thithet gjatë frymëmarrjes, ndërkohë që një person gatuan mbi një tigan tefloni tejet të nxehur, është helmues sepse kimikalet përshkojnë trupin.

Këshillat rreth përdorimit të tiganëve nga tefloni:

-Këta tiganë nuk duhet të para-ngrohen, sepse tiganët e zbraztë arrijnë temperaturë të lartë shumë më shpejtë.

-Nuk duhet të bëhet fërgimi direkt mbi temperaturë tepër të lartë.

-Ndërkohë që bëhet gatimi duhet të qarkullojë ajri, dritaret të jenë të hapura.

-Nuk duhet të përdoren mjete nga metali për përzierje të ushqimit në këto tiganë, preferohet të përdoren mjete nga silikoni.

-Preferohet që të mos përdoren fare tiganët nga tefloni, të zëvendësohen me tiganë nga metali apo qeramika.