Lifestyle

Si ndikon pandemia tek ëndrrat

Kur koronavirusi mbërtheu gjithë globin vitin e kaluar, kudo raportohej për ëndrra trazuese, të tilla që ngjasonin aq reale sa që shkaktonin sëkëlldi

Ballafaquar me kërcënimin nga COVID-19, truri i njerëzve ka rezultuar i mbingarkuar, në të ka shkaktuar shumëfishim të stresit që si rezultat ka gjeneruar telashe në kohën e kaluar në gjumë.

Tani, më shumë se një vit pas, kur një numër i madh i njerëzve janë përshtatur në jetën me pandeminë, shkencëtarët janë munduar që të kuptojnë nëse edhe ëndrrat i janë përshtatur një “normaleje të re”.

A janë maskat, rrugët e boshatisura dhe distancimi fizik tani, thjesht, një sfond i ëndrrave të përditshme? Çfarë shihni kur tundni kokat?

Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, lexuesit e BBC-së kanë adresuar në emailat e redaksisë disa prej ëndrrave të tyre.

Plazh përplot me peshkaqenë

“Do të ecja rëndom përgjatë një plazhi, ku uji është i mbushur plot me peshkaqenë dhe pyesja veten pse njerëzit nuk janë duke e mbajtur distancën fizike”, ka shkruar për BBC-në, Fiona Ramage, nga Dundee i Skocisë. Ajo ka thënë se pandemia tani është në sfondin e shumicës së ëndrrave të saj dhe ato ndonjëherë ngërthejnë edhe frikë “të rastësishme” prej kollitjes.

Lexuesja tjetër e BBC-së, Sayaka, e cila ishte zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar nga Japonia bashkë me familjen e saj, ka theksuar se vajza e saj shtatëvjeçare i tregon vazhdimisht për ëndrrat e saj që ndërlidhen me COVID-19.

"Ajo kryesisht ‘rri në shtëpi’. Vetëm prindërit e saj bartin maska ​​dhe të gjithë anëtarët e familjes lajnë duart në ëndrrat e saj”, ka treguar ajo.

Ndërkaq, Mariela Cortés, nga Santiagoja e Kilit, ka shkruar se ëndrrat e saj kanë marrë një kthesë shumë më surreale.

“Madje, dua që edhe kafshët - macet dhe qentë - të bartin maska, por ato nuk i bartin”, ka shkruar ajo.

Ekipi i BBC-së ka bërë të ditur se ka marrë një mostër të ëndrrave nga lexuesit, porse shkencëtarët kanë studiuar çështjen për muaj me radhë.

Deirdre Barrett, një psikologe në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbledhur rreth 15.000 ëndrra në kuadër të një sondazhi online për publikun.

Deri më tani, rreth dy të tretat e të anketuarve janë gra dhe një e treta burra.

Libri i saj rezultues, “Ëndrrat pandemike”, përqendrohet në valën e parë të pandemisë.

Ajo ka thënë për BBC-në se kur pandemia shpërtheu fillimisht, shumë njerëz ëndërronin për kërcënimet, si sulmet nga insektet apo pamundësia për të marrë frymë. Më pas, gjatë izolimeve dhe shkollimit nga distanca, temë e zakontë e ëndrrave ishte ngujimi në burg apo shtrëngimi për t’iu nënshtruar testimeve të papritura në lëndën e Matematikës.

Sidoqoftë, pas rreth gjashtë muajsh, dr. Barrett ka thënë se kishte vërejtur rritje të konsiderueshme të njerëzve që i përshkruanin ëndrrat e tyre si të dominuara nga harresa për të bartur maskë apo se dilnin në publik dhe i shihnin edhe personat e tjerët që nuk bartnin maska.

Barretti sugjeron se ëndrrat fillestare, të cilat kishin tendencë të shfaqnin frikë nga prekja prej virusit, kanë shënuar rënia, teksa ëndrrat mbi ankthin social kanë shpërfaqur prirje të shtimit.

“Shumë ëndrra morën kahe të ‘kam harruar maskën’ teksa turpërimi shoqëror ka pushtuar ëndërruesin. Ata kishin tendencë të shqetësoheshin më shumë për t'u larguar nga vendi ku ndodheshin para se dikush të vërente se kishin bërë një gabim”, ka thënë ajo për agjencinë britanike.

Pa maska ​​në supermarket

Një numër i konsiderueshëm lexuesish të BBC-së kanë shkruar se kishin ëndërruar skenarë kur mbërthehen nga turpi apo ankthi.

“Ndodhem në mesin e një turme të madhe, si në një qendër tregtare dhe krejt papritmas e kuptoj se nuk e kam maskën. Askush përreth meje nuk bart gjithashtu maskë. Ndihem në rrezik dhe befas bëhem jashtëzakonisht e vetëdijshme se njerëzit po më sillen vërdallë tepër afër”, ka shkruar Diletta de Cristofarro nga Nottinghami i Mbretërisë së Bashkuar.

Naomi Harvey nga Cambridgeshire ka bërë të ditur se ëndërronte se si e përqafonte nipin e saj para se masat të zbuteshin, dhe ndërsa po e përqafonte, familja e saj po i afrohej dhe ajo përnjëherë e kujton pandeminë.

“U zgjova e panikuar se i kisha thyer rregullat dhe rrezikova t’i ekspozoja njerëzit ndaj virusit”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, Diana Valk nga Londra ka shkruar në adresë të BBC-së kishte ëndërruar që gabimisht e kishte përqafuar një të huaj, duke menduar se ishte dikush që e njihte.

“Personi u tmerrua... sepse druante se mund të sëmurej nga COVID-19 dhe për më tepër asnjëra prej nesh nuk bartte maskë”, ka kujtuar ajo. “Mbaj mend se u mbërtheva nga ndjenja e turpit, ngase e përqafova një grua para të tjerëve dhe ajo dukej aq e shokuar”.

Rikthimi i ëndrrave më pozitive

Në kohën kur shumë shtete kanë shfuqizuar shumicën e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kryesisht shkaku i fushatave masive të vaksinimit, ka ndryshuar qasja edhe në ëndrra, ka raportuar BBC.

Gjatë muajve të fundit, një numër i vogël i lexuesve të agjencisë kanë raportuar ëndrra më pozitive mbi jetën pas virusit.

“Ka pasur më shumë ëndrra ku mjedisi rrethues është më i mirë - oqeani është më i pastër apo më pak i ndotur. Ka shumë të tilla që shpërfaqin pamje të balenave skajshmërisht të mëdha që notojnë afër bregut. Një grua ka dalë jashtë për herë të parë pas pandemisë dhe ngre sytë lart për të parë se balenat kishin mësuar edhe të fluturonin. Kishte ngado balena të mëdha që u jepnin krahëve sipër në qiell”, ka theksuar psikologia Barrett.

Dhe për disa njerëz, gjumi gjatë pandemisë ka shërbyer si një vend pushimi nga COVID-i.

“Ëndrrat janë mbase gjëja e vetme që kanë mbetur të njëjta gjatë këtij viti të vështirë. Kurrë nuk kam ëndërruar për njerëzit që bartin maska dhe që nuk mund të vihen në kontakt fizik me njëri-tjetrin – të këtilla gjëra thjesht nuk ishin pjesë e jetës sime ëndërrimtare”, ka theksuar lexuesja e BBC-së, Kiesa Kay, nga Karolina e Veriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.