Karroca, rroba, lodra, orendi e shumë detaje të tjera janë pjesë e shtëpive të personalizuara të foshnjave të porsalindura. Tashmë këto shtëpi, me apo pa drita po shërbejnë si dhurata unike, shpeshherë të porositura nga nënat.
Ajo që po i ndërton është arkitektja Nita Reshtani.
Ka disa muaj që profesionin e saj e ka shtrirë edhe në dimensione më të vogla. Sipas Nitës, dashuria për dhuratat unike ka qenë nisma e parë e biznesit “Fjonge” .
Hapësirën brenda shtëpisë e ka kthyer në punëtori, raporton KOHA.
Sipas Nitës, orët e kaluara pranë tavolinës së punës janë të shumta. E shpesh, aty zbardh edhe mëngjeset. Në të shumtën e kohës, klientët janë ata që zgjedhin detajet e interierit. Si nënë e përkushtuar, ajo thotë se nuk do t’ia dilte pa ndihmën e bashkëshortit, por dhe të një granti të fituar.
Miniatura të tjera reale, puzzle e koleksioni i nuseve janë disa nga punimet në listën e së ardhmes nga Nita.