Studiuesit janë duke zhvilluar një injeksion që krijon një implant kontraceptiv në trup, duke përdorur një metodë që mund të sjellë qasje të re për administrimin e barnave për periudha të gjata kohore, ka raportuar The Guardian.
Implantet aktuale kontraceptive kanë efekt që zgjat disa vite, duke shmangur nevojën që gratë të marrin pilula kundër shtatazanisë çdo ditë. Megjithatë, këto pajisje kërkojnë vendosje nga një profesionist përmes një procedure të vogël kirurgjikale. Edhe injeksionet kontraceptive ekzistojnë, por efekti i tyre zgjat vetëm tre muaj.
Tani, shkencëtarët kanë përfunduar eksperimentet e para për një implant të ri me veprim të gjatë, që formohet vetë në trup. Edhe pse ende nuk është testuar te njerëzit, studiuesit kanë thënë se besojnë që kjo metodë mund të sjellë përfitime përtej fushës së kontracepsionit, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë për administrimin afatgjatë të barnave pa procedura invazive, perspektivë tërheqëse për rajonet me infrastrukturë të dobët mjekësore.
“Është i përshtatshëm për çdo bar hidrofobik që tretet dobët në ujë, sidomos aty ku nevojitet administrim me veprim të gjatë. Kjo përfshin trajtime për HIV, tuberkuloz, skizofreni, dhimbje kronike apo sëmundje metabolike”, ka thënë doktori Giovanni Traverso, bashkautor i studimit nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets dhe gastroenterolog në spitalin Brigham and Women’s në SHBA.
Metoda përfshin injektimin e mikro-kristaleve të një versioni sintetik të hormonit progesteron, të përfshirë në një tretës që nuk përzihet mirë me ujin. Pasi futen në trup, tretësi shkëmbehet me lëngjet trupore, duke bërë që mikro-kristalet të grumbullohen dhe të formojnë një implant të ngurtë që lëshon gradualisht ilaçin.
Ekipi i studiuesve, studimi i të cilit u publikua në revistën Nature Chemical Engineering, ka testuar metodën te minjtë, duke përmirësuar përzgjedhjen e tretësit në injeksion. Lirimi i ilaçit te minjtë ka vazhduar për të paktën 97 ditë, megjithëse Traverso ka thënë se, në varësi të rregullimeve të formulës, mund të arrihen periudha edhe më të gjata.
Ai ka theksuar se për shkak të formimit të një implanti të ngurtë, ai mund të hiqet nëse është e nevojshme.
Megjithatë, studimi është ende në fazat e hershme dhe efikasiteti i kësaj metode duhet ende të testohet. “Ky studim përgatit terrenin për studimet e ardhshme te njerëzit, të cilat shpresojmë t’i fillojmë brenda tre deri në pesë vjetëve të ardhshme”, ka thënë Traverso.
Doktoresha Janet Barter, presidente e Fakultetit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues, e ka përshkruar këtë qasje si një përparim të rëndësishëm.
“Kjo risi mund të jetë mundësi e përshtatshme për individët në vendet me burime të kufizuara, ku qasja në kontraceptivë dhe shërbimeve shëndetësore është e vështirë. Ne mirëpresim studime të mëtejshme mbi sigurinë e efikasitetin e kësaj teknologjie premtuese”, ka thënë ajo.