Lifestyle

Shkencëtarët thonë se mund ta heqin HIV-in nga qelizat e infektuara

Shkencëtarët thonë se me sukses kanë eliminuar virusin HIV nga qelizat e infektuara, duke përdorur një teknologji për editimin e gjeneve, që quhet “Crispr”, teknologji kjo që ka fituar çmimin “Nobel”.

Kjo teknologji funksionon si gërshërë, por në nivel të molekulave, duke prerë ADN-në në mënyrë që të hiqet apo të deaktivizohet, raporton BBC.

Shpresa qëndron te mundësia për ta hequr virusin tërësisht nga trupi, ani pse ka ende punë për t’u bërë në mënyrë që të dihet se a është efikase si metodë.

Ilaçet ekzistuese për trajtim të HIV-it mund ta ndalojnë atë, por jo ta eliminojnë në tërësi.

Ekipi i Universitetit të Amsterdamit në Holandë, i cili prezantoi përmbledhjen e gjetjeve të tyre në një konferencë mjekësore gjatë kësaj jave, ka deklaruar se kjo gjetje mbetet vetëm si dëshmi e konceptit dhe nuk do të bëhet së shpejti kurë për HIV-in.

Me këtë deklaratë është pajtuar doktori James Dixon nga Universiteti i Nottinghamit, duke thënë se gjetjet e fundit kërkojnë shqyrtim.

“Do të duhen shumë punë të tjera për të bërë, para se këto gjetje të jenë kurë për ata që janë të infektuar me HIV”, ka thënë Dixon.

Ndërkohë edhe të tjerë shkencëtarë po provojnë ta përdorin po të njëjtën metodë, të cilën e quajnë “Crispr” për gjetjen e kurës së HIV-it.

Kompania farmaceutike, “Exision BioTherapeutics”, ka deklaruar se pas 48 javësh, tre vullnetarë me HIV që u paraqitën për trajtim, nuk treguan ndonjë efekt anësor, pas përdorimit të kësaj metode.

Por doktori Jonathan Stoye, nga Instituti Franncis Crick në Londër, tha se heqja e HIV-it nga qelizat është “mjaft sfiduese”.

“Duket se do të kalojnë shumë vjet përpara se kjo terapi e bazuar në ‘Crispr’ të bëhet rutinë, ani pse supozohet të jetë efikase”, ka thënë Stoye.

Virusi HIV infekton qelizat e sistemit imunitar duke përdorur mekanizmin e vetë qelizave për të bërë kopje të tjera që përmbajnë virusin.

Edhe pas një trajtimi efektiv, qelizat shkojnë në gjendje pushimi apo të fjetur, pra HIV-i është ende prezent në materialin gjenetik të tyre, ani pse nuk prodhohet virus i ri.

Shumë njerëz të infektuar me HIV do të duhet t’i nënshtrohen terapisë, që njihet si antiretrovirale gjatë tërë jetës. Nëse kjo terapi ndërpritet, virusi i fjetur mund të zgjohet dhe të shkaktojë sërish probleme.

Shumë të rralla janë rastet që thuhet se janë “kuruar”, pas përdorimit të një terapie për kancere agresive, e cila mund të ketë fshirë disa nga qelizat e infektuara me HIV, por kjo nuk është asnjëherë e rekomandueshme si trajtim specifik për HIV.