Shkencëtarët kanë gjetur sasi të madhe të nanoplastikës në ujin e paketuar në shishe të plastikës, raporton CNN.
Bazuar në një studim të ri uji i paketuar në shishe të plastikës që gjendet në dyqane përmban 10 deri në 100 herë më shumë grimca të vogla plastike se sa është menduar më parë. Këto grimca janë aq të vogla sa nuk mund të shihen as me mikroskop.
Në studimin e ri, të botuar të hënën në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”, studiuesit nga Universiteti i Columbias paraqitën një teknologji të re me të cilën mund të shihet, numërohet dhe analizohet struktura kimike të nanoplastikës që gjendet në ujin e paketuar në shishe plastike.
Ekspertët thonë se këto grimca për shkak të madhësisë shumë të vogël që kanë udhëtojnë shumë lehtë nëpër organizëm. Ato shkojnë nëpër organet tretëse e nëpër enët e gjakut duke liruar kemikate shumë të rrezikshme sintetike nëpër trup dhe nëpër qeliza.
Shkencëtarët zbuluan se një litër e ujit të paketuar përmban rreth 240 mijë grimca plastike të shtatë llojeve të ndryshme të saj, prej të cilave 90% janë identifikuar si nanoplatikë kurse pjesa tjetër ishte mikroplastikë.
Grimcat mikroplastike janë fragmente të polimerit që mund të variojnë në madhësi nga 5 milimetra deri në 1 mikrometër. Grimcat që janë më të vogla se këto konsiderohen nanoplastikë.
“Ky studim, më duhet të them, është jashtëzakonisht mbresëlënës. Pajisja që ata kanë përdorur në studim mund të dedektojë grimca shumë të imëta ... Do ta quaja novatore”, ka thënë studiuesja Sherri Sam Mason, e cila nuk ka qenë e përfshirë në këtë studim.
Këto gjetje forcojnë këshillat e ekspertëve që duhet pirë ujin nga çezma dhe nga gotat e qelqit në mënyrë që të mos konsumohet plastika. Për më tepër kjo këshillohet edhe për ushqimin. Mason ka thënë gjithashtu se nuk duhet konsumuar ushqimin nga mbajtësit apo paketimet e plastikës.
“Njerëzit nuk mendojnë që plastika mund të shpërndahet, por ajo bëhet. Pothuajse në të njëjtën mënyrë se si shpërndahen vazhdimisht qelizat e lëkurës, njësoj shpërndahen edhe grimcat e plastikës, si për shembull kur hapen enët e plastikës me sallatën e blerë në dyqan ose një djathë që është mbështjellë me plastikë”, ka thënë ajo.
Mason ishte bashkautore e një studimi të vitit 2018 që zbuloi për herë të parë ekzistencën e mikro dhe nanoplastikës në 93% të mostrave të ujit në shishe të shitura nga 11 marka të ndryshme në nëntë vende.
Në atë studim Mason kishte gjetur se çdo litër e ujit të paketuar me plastikë përmbante afërsisht 10 grimca plastike sa madhësia e fijes së flokut të njeriut bashkë me 300 grimca të tjera edhe më të vogla. Pesë vite më parë ishte e pamundur të dihej se a ka të tjera grimca edhe më të vogla.
“Ne e dinim që grimcat nanoplastike ekzistojnë. Vetëm nuk mund t’i analizonim”, ka thënë Mason.
Në fund shkencëtarët bënë të ditur se këto gjetje tregojnë që uji që është në plastikë është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut duke pasur parasysh se janë gjetur lloje të ndryshme të plastikës në të. Por Mason gjithashtu ka thënë se duhet bërë edhe më shumë studime.
