Lifestyle

Shenjat që tregojnë se keni mpiksje gjaku dhe nuk e dini

Mpiksja e gjakut mund t’ju shpëtojë kur keni prerje sepse e pengon rrjedhjen e sasisë së madhe të gjakut, por mpiksjet e gjakut gjithashtu mund të bëhen kërcënuese për jetën kur nuk treten. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 100 mijë njerëz vdesin nga mpiksja e gjakut çdo vit. Po ashtu, pas kancerit, mpiksja është shkaktari kryesor i vdekjes tek njerëzit e prekur nga kjo sëmundje.

Çdokush është i rrezikuar nga mpiksja e gjakut prandaj dhe njohja e shenjave mund të jetë shpëtimtare, shkruan portali “Eat This Not That”.

Çfarë duhet të dini rreth mpiksjes së gjakut?

Mpiksjet e gjakut mund të jenë një vrasës i heshtur, manifestohen në shumë mënyra dhe çojnë në komplikime të rënda. Pirja e duhanit, presioni i lartë i gjakut dhe medikamente të caktuara, si estrogjeni, mund të kontribuojnë në një rrezik më të lartë të mpiksjes së gjakut. Njohja e simptomave të mpiksjes mund t’ju shpëtojë jetën, përpara se të shndërrohet në emboli pulmonare ose goditje në tru.

Mpiksjet e gjakut më së shpeshti ndodhin në këmbë dhe bllokojnë oksigjenin në indet përreth. Megjithatë, mpiksjet sipërfaqësore ose të gjakut në zonat pa inde të prekura, ndonjëherë mund të kalojnë pa u vënë re. Mpiksjet e gjakut që nuk prodhojnë simptoma janë veçanërisht të rrezikshme sepse nëse nuk trajtohen, ato ende mund të çojnë në komplikime të rënda të mushkërive ose trurit.

Simptomat paralajmëruese:

Frymëmarrje e vështirë ose marramendja

Pas aktivitetit të moderuar ose të lartë, mund të keni më shumë gjasa ta injoroni lodhjen, djersitjen, vështirësitë në frymëmarrje ose marramendjen. Megjithatë, këto simptoma nuk duhen anashkaluar nëse vazhdojnë dhe shfaqen në kohën kur jeni duke pushuar pushim po bëni ndonjë aktivitet të lehtë. Mpiksja e gjaku në mushkëri quhet emboli pulmonare dhe bllokon oksigjenin që të hyjë në gjak. Një emboli pulmonare mund të jetë vdekjeprurëse nëse nuk trajtohet shpejt.

Ënjtje, dhimbje, ndryshim ngjyre ose lëkurë e ngrohtë në ekstremitete

Nëse nuk jeni të sigurt për shenjat e mpiksjes, ju duhet ta dini se ënjtja në një zonë të caktuar të këmbës, zbardhja e lëkurës ose ndryshimi i temperaturës, konsiderohen shenja treguese të trombozës së venave të thella ose tregojnë një mpiksje gjaku që është formuar thellë nën lëkurë dhe po bllokon gjakun në indet e shëndetshme. Nëse përjetoni dhimbje të mprehta të njëanshme, skuqje, ënjtje ose lëkurë të ngrohtë në një zonë të lokalizuar, kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt të jetë e mundur. Një trombozë e venave të thella mund të çojë në emboli pulmonare ose probleme më të rënda, duke përfshirë gangrenën.

Plogështi e përgjithshme, vjellje, probleme me shikimin ose të folur

Një mpiksje gjaku mund të bllokohet në tru, në enët e gjakut të ngushtuara nga depozitat yndyrore. Ato gjithashtu mund të ndodhin për shkak të traumës së kokës ose goditjeve fizike që shkaktojnë një tronditje. Duke qenë se mpiksjet e gjakut parandalojnë që gjaku i oksigjenuar të arrijë në pjesë të trurit, mund të ndiheni të trullosur, konfuzë ose të keni probleme me shikimin dhe të folurit. Mpiksjet e gjakut në tru mund të shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh neurologjike, nga plogështia e përgjithshme deri te krizat. Nëse i përjetoni ndonjërën nga këto simptoma, kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt të jetë e mundur.