Lifestyle

Shenjat paralajmëruese të demencës dhe dallimi me plakjen normale

Demenca

Demenca

Foto: Associated Press

Kur njeriu plaket, kujtesa dhe aftësitë njohëse mund të përjetojnë disa ndryshime.

Por, për rreth një në dhjetë të moshuar, ndryshimet e tilla mund të jenë më serioze e të çojnë në demencë, sëmundje kjo që shkakton probleme me kujtesën dhe mendimin, që nuk lidhen me plakjen e zakonshme. 

Seattle Times ka shkruar se të kuptuarit e ndryshimit midis plakjes së zakonshme dhe demencës është shumë i rëndësishëm, dhe diagnostikimi i hershëm ndihmon në trajtim dhe menaxhim.

Çfarë është demenca?

Demenca është një term i përgjithshëm që përfshin humbjen e aftësive të njohjes dhe aftësitë për të funksionuar normalisht. Sipas doktoreshës Sudha Seshadri, drejtoresh në Institutin për Sëmundjet e Alzheimerit dhe Neurodegjeneruese në UT Health San Antonio, demenca nuk është pjesë normale e plakjes, ani se është e zakonshme te të moshuarit. 

“Që diçka të ndodhë shpesh, nuk do të thotë që është normale”, ka theksuar Seshadri.

Demenca mund të shkaktohet nga sëmundje të ndryshme, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit.

Shënjat e para të demencës

Ndërsa është e zakonshme që njerëzit të harrojnë ndonjëherë ose të përsërisin pyetje, kur këto sjellje bëhen më të shpeshta ose ndodhin në mënyra jo të zakonshme, ato mund të jenë shenja paralajmëruese të demencës.

Disa nga shenjat më të zakonshme janë:

Përsëritja e pyetjeve ose tregimi i të njëjtës histori disa herë

Harrohen sende personale, ose vendosja e gjërave në vende të çuditshme (p.sh., çelësat në frigorifer)

Vështirësi për të mbajtur mend takime, ilaçe, dhe/ose faturat

Marrja e vendimeve të gabuara

Mosveshja si më parë, duke u bërë më të palidhur me dukjen (për shembull, duke u veshur me rroba të palara kur dikur ishin gjithmonë të rregullt)

Bërja e dyshimeve ose paranojës, për shembull mendimi se diçka është vjedhur.

Demenca gjithashtu mund të shfaqet në simptoma fizike, si humbja e balancës, humbja e oreksit dhe gjumi i tepërt.

Pse është e rëndësishme njohja e shenjave paralajmëruese?

Doktori Brendan Kelley, neurolog në UT Southwestern, ka theksuar se ndryshimi në sjellje është tregues i rëndësishëm. Nëse dikush, që zakonisht është i organizuar mirë, fillon të harrojë takime apo të humbë çelësat më shpesh, është koha për të vënë re dhe për t’u shqetësuar.

“Njëherë ndodhin disa humbje të kujtesës, por kur shfaqet një model i përsëritur ose një ndryshim i dukshëm nga sjellja e mëparshme, kjo mund të jetë shenjë që meriton vëmendje mjekësore”, ka thënë doktori.

Një ndryshim nga modeli i zakonshëm është i rëndësishëm.

“Nëse unë filloj të kem vështirësi të kujtoj se çfarë është termi ‘cerebelum’ e çka është termi ‘cerebrum’, kjo është e jashtëzakonshme”, ka thënë Seshadri, duke theksuar që edhe profesionistët mund të përjetojnë ndryshime kognitive jashtë plakjes së zakonshme.

Çfarë duhet bërë nëse vëreni shënjat paralajmeruese

Nëse dikush fillon t'i vërejë këto ndryshime te vetja apo te ndonjë i afërm, hapi i parë duhet të jetë vizita te mjeku. Është e rëndësishme që të eliminohen shkaktarët e mundshëm të tjerë, si infeksionet apo efektet anësore të ilaçeve, të cilat mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me demencën.

Vizitimi i një mjeku të përgjithshëm apo te neurologu mund të ndihmojë në përcaktimin nëse demenca është shkaktari. 

“Demenca është diagnozë që mund të ndihmojë që të ofrohen mundësi trajtimi të hershëm dhe mundësia e pjesëmarrjes në prova klinike, që mund të mos jenë të disponueshme për ata që janë në faza të avancuara”, ka thënë Seshadri.

Në të njëjtën kohë, diagnostikimi i hershëm mund të lejojë pacientin të marrë pjesë në vendimmarrjen për trajtimin e ardhshëm dhe mund të bëjë më të lehtë planifikimin e kujdesit për të ardhmen.

Si të fillohet biseda

Shpeshherë, është e vështirë të hapet një bisedë me një të afërm për simptomat e mundshme të demencës. 

Doktori Kelley ka sugjeruar që biseda të ndodhë në mënyrë bashkëpunuese, duke u fokusuar në të punuarit së bashku, në vend të përpalljes me problemin. 

“Mënyra më e mirë për të arritur një rezultat pozitiv është të shikoni këtë situatë si një mundësi për të punuar së bashku me atë që po kalon këto vështirësi”, ka thënë ai.

Ndërkohë, doktoresha Seshadri ka shtuar se “ndonjëherë, ata mund ta dinë që kanë një problem me kujtesën dhe mund ta fshehin nga ju për shkak të frikës, ashtu si mund të keni frikë edhe ju t’ua thoni”.