Lifestyle

SHBA-ja mund të dalë me udhëzim kundër ushqimeve “të përpunuara disa herë”

Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shqyrton mundësinë për ta lëshuar një udhëzim kundër konsumit të ushqimit të shpejtë, si “chicken nuggets”, bukës së bardhë dhe drithërave të sheqerosura të njohura si “cereals” që zakonisht njerëzit i konsumojnë në mëngjes.

Administrata e presidentit Joe Biden mund të lëshojë për herë të parë një udhëzimin kundër ushqimit të përpunuar që ata po e quajnë “ushqime që kalojnë në shumë etapa përpunimi”, raporton “DailyMail”.

Që nga 1970, Qeveria federale i ka rekomanduar popullsisë që të mos përdor ushqimin që përmban sodium, sheqer dhe yndyra të pashëndetshme. Ata i kanë thënë popullsisë të hanë ushqim me më shumë vitamina, minerale, fibra e proteina në mënyrë që të mos marrin sëmundje të ndryshme kronike.

Për herë të parë një panel ekspertësh amerikanë do të ekzaminojë lidhshmërinë që ka mbipesha me ushqimin e ultra-përpunuar për rregulloren e vitit 2025. Raportohet se ata mund të kundërshtojnë konsumimin e “chicken nuggets”, drithërave të sheqerosura si dhe makaronave me djathë që janë të paketuara.

Departamenti i Agrikulturës në SHBA që publikon udhëzimet ushqimore për amerikanët çdo pesë vjet, sivjet do të ekzaminojë nëse ushqimi i shpejtë ndikon në rritjen, zhvillim trupor e rrezikun nga mbipesha. Ata po duan të dinë edhe nëse këto ushqime shkaktojnë sëmundje si diabeti i tipit 2, kanceri, sëmundjet si demenca e Alzhaimeri dhe vdekjet e parakohshme.

Udhëzimi amerikan për ushqimin u botua për herë të parë në vitin 1977 nga një komitet i zgjedhur i Senatit të SHBA-së. Qëllimi i tyre kryesor ishte të zvogëlohet mbipesha dhe të rritet konsumi i ushqimit të shëndetshëm.

Studimet e mëparshme kanë gjetur male rezultatesh të këqija që vijnë si pasojë e konsumit të ushqimit të shpejtë. Konsumi i ushqimit të shpejtë rrit rrezikun për demencë, kancer gjiri, rrit indeksin e dhjamit të tepërt trupor, etj. Studime të tjera që janë bërë në Francë e Spanjë kanë rezultuar se ushqimi i shpejtë shkakton vdekje të parakohshme.

Së paku gjashtë shtete të tjera kanë lëshuar udhëzime që u kërkojnë njerëzve të mos i përdorin ushqimet ultra të përpunuara. Në maj, Meksika i paralajmëroi qytetarët që të shmangin ushqimet ultra të përpunuara si mishrat dhe salsiçet e përpunuara, patatinat, biskotat, biskotat e njelmëta, bukën e ëmbël dhe drithërat e sheqerosura. Në gusht, studiuesit në Britani pretenduan se vendi po përballet me “valë dëmesh” nga ushqimi ultra i përpunuar.

Ushqimet ultra të përpunuara janë ato që kanë kaluar nëpër nivele të shumta të përpunimit dhe zakonisht janë plot me yndyra, ngjyrues dhe konservues të shumtë. Ato shkaktojnë probleme në tru, të ngjashme me ato që shkaktojnë duhani dhe drogat e paligjshme.