Në vend të një ekzaminimi tradicional vaginal tek gjinekologu, siç është bërë deri më tani, Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (FDA) u ka dhënë dritën e gjelbër pacientëve që të mund t’i marrin vetë mostrat vaginale e t'i dërgojnë për ekzaminim.
Dy biznese të kujdesit mjekësorë, kompania bioteknologjike “Roche” dhe një firmë e teknologjisë mjekësore “Becton, Dickson and Company” kanë deklaruar se FDA-ja të mërkurën ka dhënë pëlqimin për vetëmarrjen e mostrave vaginale për t’i dërguar për testim të virusit papilloma (HPV). Shumica e rasteve të kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga ky virus dhe ekzaminimi për të mund të ndihmojë në identifikimin e grave që mund të jenë në rrezik të zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës.
“Gati të gjithë kanceret e qafës së mitrës shkaktohen nga infeksione të vazhdueshme vaginale me lloje të ndryshme të HPV-së. Vetëmarrja e mostrave mund të ndihmojë në tejkalimin e barrierave, të cilat mund ta shtyjnë dikë që të mos shkojë për të bërë kontrolle. Vetëmarrja e mostrave do të jetë mundësi e mirë për të detektuar herët çfarëdo sëmundje që mund te jetë e pranishme dhe të trajtohet me kohë, në mënyrë që të mos zhvillohet kanceri”, ka thënë doktoresha Karen Knudsen nga Shoqata Amerikane e Kancerit.
Zakonisht gjinekologët marrin mostra vaginale nga testet e ndryshme vaginale si PAP testi, përmes së cilit mblidhen mostra brenda vaginës në mënyrë që të ekzaminohen pastaj nëse ka prezence të qelizave kancerogjene.
Për më tepër FDA-ja mund të japë dritën jeshile edhe për vetëmarrjen e mostrave vaginale në shtëpi e pastaj të dërgohen për ekzaminim. Kjo mënyrë funksionon duke vetëmarrë mostrat përmes një shkopi që ka prodhuar kompania “Teal Health” e që quhet shkopi “Teal”, të cilin e ka aprovuar FDA-ja.
“Është shumë e rëndësishme që ky shkop është aprovuar nga FDA-ja, sepse shumë paciente që nuk kanë mundësi të shkojnë tek ndonjë qendër mjekësore për të kryer procedurën e marrjes së mostrave për t’i dërguar pastaj në ekzaminim”, ka thënë në një deklaratë Trena Depel, presidente e kompanisë “Teal Health”.
Ekzaminimi i vazhdueshëm për kancer të qafës së mitrës mbetet shumë me rëndësi, sepse rastet e hershme mund të mos shfaqin asnjë shenjë apo simptomë. Në rastet kur kanceri zhvillohet më shumë mund të krijojë simptome si gjakderdhje anormale apo sekretim të pazakontë. Kanceri i qafës së motrës mund të trajtohet në mënyra të ndryshme, përfshirë operimin, kimioterapinë e rrezatimin.
Hapat më të rëndësishëm që duhet të ndërmarrë një grua për parandalim të këtij kanceri janë: vaksinimi kundër HPV-së, moskonsumi i duhanit, të përdorë mbrojtje gjatë marrëdhënieve intime, të bëjë ekzaminime të shpeshta të mostrave vaginale dhe të shkojë menjëherë tek doktori përkatës për t’i parë rezultatet e çdo analize.