Lifestyle

Pse zgjoheni shpesh gjatë natës dhe çfarë po përpiqet t’ju tregojë trupi juaj

Zgjimi natën

Zgjimi natën

Sipas një sondazhi të vitit 2025 nga U.S. News and World Report, 89% e të rriturve në SHBA zgjohen shpesh gjatë natës. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm të flesh, por edhe të qëndrosh në gjumë, ka raportuar Parade.

Studiuesit kanë thënë se ekzistojnë disa arsye pse ndodh kjo dhe shpesh është e vështirë të rikthehesh në gjumë pasi je zgjuar. Ja disa nga shkaqet kryesore pse njerëzit zgjohen në mes të natës dhe çfarë mund të bëni nëse nuk mund të flini përsëri.

5 arsyet më të zakonshme pse njerëzit zgjohen natën

1. Alkooli

Nëse pini një gotë verë për t’u qetësuar në mbrëmje, mund të jetë arsyeja pse po zgjoheni gjatë natës.

“Alkooli mund të ndërpresë gjumin. Ndihmon për të rënë në gjumë më shpejt, por më pas rrit ritmin e zemrës dhe ndërpret gjumin në pjesën e dytë të natës”, ka thënë doktori Richard Schwab, shef i Departamentit të Mjekësisë së Gjumit në Universitetin e Pensilvanisë.

Kur trupi e përpunon alkoolin, rrit temperaturën trupore, gjë që e bën zemrën të rrahë më shpejt dhe prish qetësinë e gjumit.

Edhe doktori William Lu nga Dreem Health ka paralajmëruar se alkooli e ul cilësinë e gjumit dhe zvogëlon fazën e gjumit të thellë.

“Mund të biesh në gjumë më lehtë, por pastaj të zgjohesh më shpejt dhe të ndihesh më i lodhur në mëngjes”, ka thënë ai.

2. Medikamentet

Shumë barna të zakonshme mund të prishin gjumin. Schwab ka përmendur antidepresantët, kortikosteroidët (kundër artritit, astmës, etj.), beta bllokuesit për tensionin e lartë, antihistaminikët, dekongestantët, si dhe barnat për Alzheimerin.

Edhe Benadryl, një antihistaminik që shpesh përdoret për të fjetur, mund të ketë efekt të kundërt. “Shumë njerëz mendojnë se ndihmon me pagjumësinë, por shpesh të zgjon në pjesën e dytë të natës”, ka thënë Schwab.
Nëse dyshoni se ndonjë bar po ndikon në gjumin tuaj, këshillohet konsultimi me mjekun.

3. Apnea e gjumit

Zgjimet e shpeshta mund të lidhen me apnenë e gjumit, çrregullim që prek rreth 30 milionë amerikanë.

“Apnea shkakton ndërprerje të gjumit, dhe shumë njerëz nuk e dinë që e kanë, sidomos nëse flenë vetëm”, ka shpjeguar Schwab. 

Simptomat përfshijnë gërhitje të forta, ndalim të frymëmarrjes gjatë gjumit, zgjim me ndjesi mundimi, tharje të gojës, dhimbje koke në mëngjes e përgjumje gjatë ditës

Nëse dyshoni për apne, këshillohet të bisedoni me mjekun për diagnozë dhe trajtim.

4. Sëmundjet kronike

Problemet me gjumin mund të vijnë edhe nga sëmundje kronike si refluksi i acidit (urthi), dhimbjet kronike, sëmundjet pulmonare si COPD, si dhe simptomat e menopauzës (si djersitjet e natës)

Nëse ndonjë nga këto po ndikon në gjumin tuaj, mjeku mund të ndihmojë me zgjidhje.

5. Mjedisi

Shpesh, arsyeja është më e thjeshtë: zhurmat e jashtme, fëmijët, kafshët shtëpiake apo edhe televizori i lënë ndezur mund të ndërpresin gjumin.  Schwab ka thënë se mjedisi i parregullt është një nga shkaqet më të zakonshme të zgjimit gjatë natës.

Çfarë të bëni nëse nuk mund të flini përsëri?

Në vend që të qëndroni të shqetësuar në shtrat, Schwab rekomandon që të “lexoni një libër me dritë të ulët derisa të ndiheni sërish të përgjumur”.

Ndërsa doktori Lu këshillon që të “ngriheni nga krevati dhe të shkoni në një ambient tjetër si divani. Bëni aktivitete të qeta derisa të filloni të ndiheni sërish të përgjumur dhe më pas rikthehuni në shtrat”.

Nëse jeni të lodhur ditën tjetër, përpiquni të mos bëni gjumë ditën, sepse kjo mund të përkeqësojë gjumin gjatë natës së ardhshme. Po ashtu shmangni ekranet elektronike në mbrëmje, duke mos fjetur me televizor ndezur e duke mbajtur dhomën të errët dhe të freskët

“Gjumi i mirë është thelbësor për shëndetin fizik dhe mendor. Nëse zgjoheni shpesh natën, është e rëndësishme të kuptoni pse ndodh kjo dhe të merrni masa për ta përmirësuar”, ka përfunduar Schwab.