Lifestyle

Pse s’duhet kurrë t’i pastroni enët para se t’i fusni në enëlarëse

Mbi 80 milionë familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) posedojnë enëlarëse, por sipas Administratës së Informacionit mbi Energjinë, shumë pak prej tyre i përdorin ato siç duhet.

“Better Homes and Gardens”, portal mbi punët e shtëpisë, shkruan se një pjesë e madhe e njerëzve i pastrojnë enët “sipërfaqësisht” para se t’i fusin në makinë, por kjo nuk po del metodë e mirë.

Faqja rekomandon që enët të mos pastrohen paraprakisht, pasi përpos që do të shpenzohet ujë, nuk do të ketë efekt të mirë te enët.

Lexo edhe: “Opsioni i fshehur” në makinën larëse që i than rrobat më shpejt

“Duke i larë paraprakisht, pos që shpenzoni ujin, gjithashtu nuk e lejoni enëlarësen t’i pastrojë ashtu siç duhet. Mund të mendoni se po ndihmoni makinën tuaj të funksionojë siç duhet, por në fakt, vetëm sa po konsumoni më tepër ujë...Shumica e rubineteve funksionojnë me një shpejtësi rrjedhjeje prej 3 litrave në minutë. Që do të thotë se nëse është e ndezur për dy minuta e 18 sekonda, atëherë sasia e ujit që përdoret për të shpëlarë vetëm disa enë, tashmë është e njëjtë me ciklin normal të larjes së enëve nga makina”, ka deklaruar Adam Hoffman, drejtor i inxhinierisë për pjatalarëse.

Ai ka shtuar se studimet zyrtare tregojnë se enëlarëset i pastrojnë mjaftueshëm enët dhe s’ka nevojë që ato të pastrohen paraprakisht.

Ai ka shtuar se çdo enëlarëse e miratuar nga kompanitë e prodhimit, lansohet me sensor që mat dhe rregullon ciklin e pastrimit të enëve.

“Nëse fillimisht i pastroni enët në lavaman, sensori i makinës do ta lexojë gabimisht nivelin e papastërtisë dhe nuk do t’i lajë si duhet. Por, nëse në pjata ose enë ka mbetje me copa të mëdha, mund t’i hiqni, por jo plotësisht .

Ai ka ftuar që të ndërrohet kjo shprehi pasi siç ka thënë inxhinieri, s’është e dobishme.

“lëreni pjatalarësen tuaj të kujdeset për pastrimin”, ka shtuar Hoffman.