Plisi, emblema e kokës së shqiptarëve, që u ruajt me xhelozi për shekuj me radhë, është një kapelë nga leshi i bardhë në formë të gjysmëvezës. Kjo kësulë zakonisht përdoret nga burrat, por e kanë mbajtur edhe gratë, si Qerime Radisheva, e njohur si Shote Galica, e cila luftoi përkrah burrit të saj, atdhetarit Azem Galica.
Këtë figurë emblematike të kokave shqiptare artistja Fitore Berisha e çoi në një dimension tjetër duke e përdorur si “pëlhurë” për të përçuar përmes artit të saj bashkëkohor mesazhe nga kultura e simbolet shqiptare që “ndriçon” hapësira të ndryshme ndërkombëtare.
Berisha i ka treguar KOHËS se ajo u inspirua të punonte me plis përderisa po qëndronte në Islandë. Pasi atje qëndroi për një kohë të gjatë, ajo pa se sa shumë vlerësoheshin leshi i deles dhe puna e dorës me të.

Kur është kthyer nga kurbeti, Berisha ka menduar ta kultivojë edhe vetë zanatin e krijimit të plisit dhe ta përdorë në artin e saj punën e traditës kulturore, por me një ndryshim modern që i kishte ngjallur dëshirë për të bërë gjëra të reja mbi të.
Berisha e di procesin e krijimit të një plisi. Zanat që është traditë kulturore e popullit shqiptar që u trashëgua brez pas brezi me shumë punë e përkushtim. Mbi emblemën kombëtare artistja ka thënë se punon me shumë zell.
“Është një proces i vështirë që kërkon durim, sepse leshi i pastruar duhet të ngjeshët duke përdorur një teknikë të vjetër e goxha primitive. Por është pasion për zanatlinjtë, të cilët e punojnë plisin brez pas brezi”, ka thënë ajo.

Kështu ajo fillimisht ka provuar të krijonte gjëra të ndryshme duke përdorur metodën e krijimit të plisit. Ajo ka bërë çanta dore, skulptura, kapela moderne me ndonjë element dekorimi, po ashtu pikturë dhe qeleshe bashkë në kombinim të cilin e quan “të hatashëm”.
Mbas këtyre krijimeve i erdhi në mendje të pikturonte mbi plis zogjtë si element identifikues të trojeve shqiptare. Ajo mbi leshin e bardhë vizatoi me ngjyra të posaçme që i qëndrojnë kohës dhe nuk lëshohen mbi pëlhura, në mënyra që të mos prishen punimet.

Me këto krijime ajo synon të bashkëdyzojë traditën me artin modern duke përdorur forma e ngjyra të ndryshme që rrezatojnë jetë dhe bukuri.
Vizatimet mbi plis përbëhen nga stili i saj identifikues, varësisht nga kërkesa e dëshira e klientëve. Shpesh i vizaton zogjtë e shpendët identifikues të tokave shqiptare, me ngjyra vibrante që, sipas saj, japin gjallëri e shpresë.
Ajo ka bërë punime të ndryshme dhe artin nuk ia karakterizon vetëm një teknikë apo stil.

“Nuk e kufizoj veten”, thotë Berisha, që i ka përdorur aq shumë simbolet si rrathët e Ulpianës e shqiponjën dykrerëshe, saqë po mendon se erdhi koha të bëjë një ndryshim edhe më unik në mënyrë që të bëhet plisi edhe më i veçantë.
“Gjithmonë mendoj të eksperimentoj me punën time, ku mundem të shtoj elemente si skifterët, sorrat, pëllumbat dhe shqiponjat”, ka thënë ajo.
Në fund, pasi i përfundon këto vepra arti, Berisha i vendos në një kuti të cilën e dizajnoi po ashtu vetë posaçërisht për to.
Plisat e saj janë vlerësuar e kërkuar shumë nga ndërkombëtarët dhe ajo për këtë gjë ka thënë se plisin e pikturuar të huajt po e përdorin si dekorim, llambë apo vetëm si një kapele dhuratë.
