Lifestyle

Përse dieta më e mirë për njeriun është e mirë edhe për planetin

Dieta

Dieta planetare, që inkurajon njerëzit të hanë më shumë ushqime bimore dhe më pak ushqime të procesuara, ul rrezikun për vdekje të hershme, ka treguar një studim i ri.

A mundet një dietë që është e mirë për shëndetin, të jetë e mirë edhe për planetin? Një studim i ri sugjeron që po. Ky studim ka gjetur se njerëzit që hanë kryesisht ushqime bimore të procesuara minimalisht si arra, fasule, fruta, perime, drithëra e vaj ulliri, bashkë me sasi modeste mishi, peshku, vezësh e bulmeti, kanë shkallë më të ulët të vdekjes së parakohshme nga sëmundjet e zemrës, kancerit a të tjera kronike.

Në të njëjtën kohë, dietat e tyre kishin ndikim më të vogël ambiental për shkak se përmbanin ushqim që kryesisht rriten duke përdorur më pak dhe e ujë dhe që prodhoheshin me më pak emetime të gazeve serrë.

Studimi u publikua të hënën në revistën “American Journal of Clinical Nutrition”, bazuar mbi një raport të 2019-s për “dietën planetare”, që konsiderohet e aftë për të përballuar 10 miliardë njerëz dhe planetin deri në vitin 2050. Aty rekomandohet që njerëzit të hanë më shumë ushqime bimore duke reduktuar mishin dhe bulmetin.

Ai u krijua për të qenë fleksibil dhe i pranueshëm për të gjithë njerëzit.

Raporti i ri është një nga studimet e para të mëdha se si ngrënia e dietës planetare e ndihmon njeriun të shmangë vdekjen e parakohshme nga sëmundje të caktuara. Studimi ka marrë për bazë të dhënat e më shumë se 200 mijë njerëzve në Shtetet e Bashkuara që u përcollën prej afër për më shumë se tri dekada. 

Rezultatet kryesore janë: 

  • Rreziku më i ulët i vdekshmërisë: Njerëzit që respektonin më shumë këtë dietë kishin 30 për qind më pak shanse të vdisnin para kohe
  • Më pak sëmundje: Njerëzit që respektonin këtë dietë kishin 10 për qind më pak rrezik të vdisnin nga kanceri, 14 për qind më pak rrezik për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 47 për qind më pak rrezik të vdekjes nga sëmundjet e mushkërive, dhe 28 për qind më pak rrezik të vdekjes nga sëmundja e Alzheimerit dhe çrregullimet tjera.
  • Më pak sëmundje infektive: Gratë që respektonin dietën kishin 38 për qind më pak rrezik të vdisnin nga sëmundjet infektive.
  • Shëndet më i mirë planetar: Ndikimin ambiental ka gjetur se nga dieta e tillë ka 29 për qind më pak emetim të gazeve serrë, 51 për qind më pak përdorim të tokës bujqësore, 21 për qind më pak plehra dhe 13 për qind më pak nevojë për ujitje e ujë.

Në këtë studim tregohet se për të respektuar një dietë të tillë duhet të konsumohen:

  • Frutat e plota dhe perimet pa niseshte, si karotat, brokoli, shpargu, lulelakra, kastraveci dhe zarzavate me gjethe.
  • Kikirikët dhe arrat e pemëve si arrat, lajthitë e fëstëkët.
  • Bishtajoret si fasulet, thjerrëzat dhe bizelet.
  • Pulë dhe forma të tjera të shpendëve.
  • Ushqimet që janë të pasura me yndyra të pangopura, si avokado, vaj ulliri dhe vaj luledielli.
  • Drithërat integrale si orizi i kafenjtë, tërshëra dhe elbi, si dhe ushqime që bëhen me drithëra të plota (për shembull, bukë gruri dhe bukë thekre)
  • Sasi më të ulëta të mishit të kuq dhe të përpunuar, vezëve, pijeve joalkoolike, lëngjeve të frutave dhe ushqimeve të përpunuara me sheqer, duke përfshirë karamele, ëmbëlsira, drithëra mëngjesi dhe ëmbëlsira.  

Walter Willet, autor i studimit të ri dhe profesor i epidemiologjisë në “Harvard”, ka thënë se respektimi i dietës planetare, nuk kërkon largimin e plotë nga mishi. Ai e ka përshkruar dietën si gjithëngrënëse e të mjaftueshme.