Lifestyle

Përfitimet shëndetësore nga spirulina

Spirulina është një lloj alge që gjendet në ujëra të njelmëta dhe të ëmbla dhe që një kohë të gjatë njihet si super-ushqim pasi ka përmbajtje të madhe të antioksidantëve e vlerave ushqyese, raporton Cnet.

Është në dispozicion në formë pluhuri ose tablete. Si pluhur, njerëzit mund ta shtojnë atë në pijet “smoothie”, gjë që i jep pijes një ngjyrë të gjelbër. Ajo mund të shtohet në supa, sallata dhe gjella.

NASA ka zbuluar një mënyrë që astronautët mund të kultivojnë spirulinën në hapësirë në mënyrë që të qëndrojnë të shëndetshëm atje, ka raportuar gazeta “Marine drugs”.

Spirulina përmban vitamina si thiamina që ndihmon metabolizmin e vitamina A që ndihmon në shëndetin e syve. Ajo gjithashtu përmban edhe minerale si bakri e hekuri që ndihmojnë imunitetin. Ka edhe vlera të tjera ushqyese si omega 6 e omega 3 që luftojnë inflamacionin.

Me 60% proteinë, spirulina siguron më shumë proteinë për organizmin se disa perime.

Sipas departamentit Amerikan të Agrikulturës, një lugë çaji me spirulinë të thatë përmban 20 kalori, vitamina, 4 gram proteinë, 8.4 miligram kalcium, thiamin, riboflavin, niacin, bakër e hekur.

Ky ushqim i gjelbër parandalon bllokimin e arterieve duke mos lejuar dhjamin e keq të depërtojë nëpër to.

Një studim kishte bërë të ditur se njerëzit që konsumonin një gram spirulinë në ditë, u ishte zvogëluar niveli i kolesterolit brenda tre muajsh.

Duke mbajtur kolesterolin në nivelin e duhur mund të parandalohen sëmundjet e zemrës.

Spirulina gjithashtu mund të ulë presionin e madh të gjakut.

Këtë ushqim nuk duhet ta përdorin gratë shtatzëna, fëmijët, njerëzit me sëmundje autoimune dhe ata të cilët duan të iu nënshtrohen operacioneve apo kanë kryer ndonjë të tillë.

Image