Shkencëtarët danezë kanë zbuluar disa informacione të reja rreth sistemit glymfatik të trurit, i cili është përgjegjës për pastrimin e grumbujve të toksinave gjatë gjumit.
Ky proces është thelbësor për funksionimin e shëndetshëm të trurit dhe mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve si Alzheimer-i.
Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar se përdorimi i disa pilulave apo ilaçeve për gjumë mund të pengojë këtë proces, ka shkruar New York Post.
Autorja kryesore e studimit, Maiken Nedergaard, ka shpjeguar se sistemi glymfatik bën që njeriu të zgjohet nga gjumi me tru të pastër.
“Ne po pyesim se çfarë e nxit këtë proces dhe po mundohemi të përcaktojmë gjumin rigjenerues në bazë të sustemit glymfatik”, ka thënë Nedergaard, profesoreshë në Universitetin e Rochester dhe Universitetin e Kopenhagës
Ajo dhe ekipi i saj kanë hulumtuar se çfarë ndodhë në trurin e miut kur ai fle.
Ata zbuluan se truri i miut lëshon valë të vogla të molekulës norepinefrin çdo 50 sekonda gjatë gjumit të thellë.
Profesoresha shpjegon se norepinefrina luan rol të rëndësishëm, duke ngushtuar enët e gjakut dhe duke rritur presionin e gjakut për të përgatitur trupin për situata stresuese.
Ky proces ndihmon në transportimin e lëngjeve që dërgojnë mbetjet larg trurit.
“Norepinefrina mund të shihet si një drejtues i orkestrës. Ka një harmoni në ngushtimin dhe zgjerimin e enëve të gjakut, që pastaj drejton lëngun cerebrospinal përmes trurit për të larguar mbetjet", ka thënë Natalie Hauglund, autore e parë e studimit dhe profesoreshë në Universitetin e Kopenhagës dhe atë të Oksfordit.
Pas konfirmimit se norepinefrina nxit pastrimin e trurit, ekipi i studiuesve vendosi të shqyrtonte se si një ilaç për gjumë mund të ndikojë në këtë proces.
Ata i dhanë miut ilaçin për pagjumësi zolpidem, i njohur me emrin tregtar Ambien.
Megjithëse minjtë që morën zolpidem ranë më shpejt në gjumë, ata kishin përgjysmë më pak aktivitet të valëve të norepinefrinës gjatë gjumit të thellë dhe 30% më pak transport të lëngut në tru se sa miqtë e tyre që flinin natyrshëm.
Këto rezultate sugjerojnë se ky sedativ apo qetësues mund të ndërhyjë në sistemin e pastrimit të trurit gjatë gjumit.
“Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish përdorin ilaçe për gjumë dhe është shumë e rëndësishme të dimë nëse ky është gjumë i shëndetshëm. Nëse njerëzit nuk po marrin të gjitha përfitimet nga gjumi, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë, në mënyrë që të mund të marrin vendime kur janë të informuar”, ka thënë Hauglund.
Ajo ka shtuar se rezultatet, të publikuara në revistën Cell, është e mundshme që të vlejnë edhe për njerëzit, por kërkohet më shumë testim.
Doktori, Thomas Kilkenny, ka theksuar se nuk është ende e nevojshme të braktiset Ambien-i.
“Nuk ka studime që janë bërë në njerëz e që do të mund ta konfirmojnë këtë. Megjithatë, është e mundshme që të ketë një mekanizëm të ngjashëm te njerëzit. Do të ishte e arsyeshme të përpiqemi të shmangim përdorimin e pilulave për gjumë për shumë arsye si varësia e sjellja automatike”, ka thënë ndër të tjera ai.