Lifestyle

Parisi i ftohtë solli sfilata të bujshme në “Javën e modës së lartë”

Edhe pse temperaturat në Parisë arritën në minus, redaktorë të modës, modele, bllogerë e influcër të ndryshëm u panë në rrugët më të famshme të qytetit për të ndjekur “Javën e modës së lartë”.

Pati thashetheme të ndryshme se çka do të ndodhë gjatë këtyre ditëve plot glamur për rikthimin e Casey Cadwallader nga mungesa trevjeçare në pasarelat e “Mugler”, performancë nga Josephine Baker për markën “Dior” e kështu me radhë.

Java nisi me sfilatën “Schiaparellit” dhe me zhurmën e madhe që shkaktoi në media paraqitja e Kylie Jenner me kokën e luanit në krah. Fustani i saj ishte i gjithi punëdore dhe bënte pjesë në koleksionin e fundit të realizuar nga Daniel Roseberry. Përveç fustanit me kokën e luanit, në sfilatë u shfaqën edhe modelet Shalom Harlow me një fustan të stiluar me kokën e leopardit dhe Naomi Campbell me atë të ujkut.

Java vazhdoi me shfaqjen e realizuar nga “Dior” në krye me Maria Chiuri Grazia, si drejtoresha e parë kreative femër e markës. Këtë sezon, inspirim për të ishte imazhi i këngëtares dhe kërcimtares Josephine Baker, ku vërehej ndikimi i viteve 1920. Koleksionin e kompletonte stili i flokëve të modeleve nga Guido Palau që njihet si "kiss curls".

Kafshët ishin tema kryesore edhe për markën “Chanel”. Ato ishin të shfaqura në formë abstrakte me material kartoni. Virginie Viard u inspirua nga apartamenti i vetë “Coco Chanelit”.

Kurse sfilatën e realizuar nga “Armani” kritikët e cilësuan të lidhur ngushtë me veshjet e klounëve dhe më pak me krijimet e modës së lartë. Këtu nuk bën pjesë përdorimi i diamanteve në veshje.

Një tjetër markë që hyn në kategorinë si njëra nga më të pëlqyerat e publikut është “Valentino”. Detaji i parë që mori vëmendje në këtë sfilatë ishte parakalini i Kristen McMenamy e zbathur. Ajo u rrëzua gjatë ecjes dhe i hoqi stilettot e saj për ta përfunduar ecjen pa këpucë fare. Marka e emëroi këtë koleksion “Le Club Couture”, disenjatori Pierpaolo Piccioli e zhvendosi koleksionin në një klub të Parisit.

Megjithatë, modelet e natës së Valentino-s nuk u paraqitën si një turmë e egër kërcimtarësh, por si modele që ecnin në një pistë me standarde të modës së lartë.

Ajo që doli në pah nga e gjithë ajo errësirë ishin pa dyshim ngjyrat e ndezura, trëndafilat, fustanet me gurë, palltot dhe fustanet e zeza të brendeve me material transparent.

Kurse në sfilatën e “Fendit” dantella ishte kryesorja në punimin e fustaneve. Publiku gjithsesi ishte i mahnitur nga puna e disenjatorit Kim Jones. Brendi italian kësaj radhe vuri në pah elegancën dhe ngjyrat e zbehta duke shfaqur një anë moderne të perëndeshave nga vitet ‘90.

Thashethemet për rikthimin e Casey Cadwallader në sfilatat e markës “Mugler” ishin të vërteta. Me një sfilatë ekstravagante, disenjatori riktheu në pasarelë edhe muzat e vetë “Thierry Mugler”, modelet Eva Herzigova dhe Debra Shaw.