Lifestyle

“Pandemia ka zhbërë vitet e tëra të përparimit në jetëgjatësi”

Të dhënat nga 29 vende – kryesisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kili – që janë analizuar nga shkencëtarët kanë shpërfaqur tkurrjen e jetëgjatësisë vitin e shkuar, madje deri në shkallën e zhbërjes së të gjitha të arriturave të viteve të mëhershme, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar rënien më të madhe të jetëgjatësisë në Evropën Perëndimore, që nga Lufta e Dytë Botërore, ka treguar të hënën një studim i ri.

Të dhënat nga 29 vende – kryesisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kili – që janë analizuar nga shkencëtarët kanë shpërfaqur tkurrjen e jetëgjatësisë vitin e shkuar, madje deri në shkallën e zhbërjes së të gjitha të arriturave të viteve të mëhershme, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”.

“Rënia më e madhe e jetëgjatësisë është shënuar mes burrave në SHBA, te të cilët rënia ishte për 2.2 vjet krahasuar me nivelet e vitit 2019, pasuar nga burrat lituanezë (1.7 vjet)”, ka cituar gazeta britanike të dhënat nga studimi.

Rënia e jetëgjatësisë tejkalon atë të kohës së shpërbërjes së bllokut lindor në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, kanë thënë studiuesit, të prirë nga shkencëtarët e Qendrës për Shkencë Demografike Leverhulme, në kuadër të Universitetit të Oxfordit.

Jose Manuel Aburto, bashkautor i studimit, ka bërë të ditur se në vendet e Evropës perëndimore, si Spanja, Anglia dhe Uellsi, Italia dhe Belgjikë, për të fundit herë një magnitudë e tillë e rënies së jetëgjatësisë që ishte vëzhguar brenda një viti të vetëm ka qenë gjatë luftës së dytë botërore, ka raportuar “Guardian”.

Të gjeturat janë përmbledhur në një punim të publikuar në “International Journal of Epidemiology”, pas analizës së kryer në 29 vende për të cilat regjistrat zyrtarë të vdekjeve në vitin e fundit tanimë janë publikuar. Në mesin e tyre, gjithsej 27 vende kanë regjistruar tkurrje të jetëgjatësisë.

Javën e shkuar, Zyra Kombëtare britanike për Statistika (ONS) ka përllogaritur se jetëgjatësia për burrat në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë për të parën herë në 40 vjet, shkaku i ndikimit të COVID-19.

“Një djalosh i lindur midis viteve 2018 dhe 2020 pritet që të jetojë deri në të 79-n e tij, që është kohë më e shkurtër sesa 79.2 vjet për periudhat mes viteve 2015-2017”, kanë treguar të dhënat e ONS-së.

Aburto ka bërë të ditur se rënia e jetëgjatësisë ishte evidente mes vendeve të studiuara, me ç’rast 22 prej tyre kanë shënuar rënie më të madhe se gjatë gjysmëvjeçarit të 2020-s.

“Gratë në tetë shtete dhe burrat në 11 kanë përjetuar rënie më të gjatë sesa një vit. Sa për qartësim, janë dashur mesatarisht 5.6 vjet që këto vende të shënojnë rritje njëvjeçare në jetëgjatësi: ky përparim është zhbërë gjatë vitit 2020 si pasojë e COVID-19”, ka thënë ai, duke folur për të përditshmen “Guardian”.

Ridhi Kashyap, bashkautorja tjetër e studimit ka thënë se shkencëtarët ishin në dijeni të disa çështjeve që ndërlidhen me numërimin e vdekjeve nga COVID-19, si testimi joadekuat apo keq klasifikimi. Megjithëkëtë, ajo ka shtuar se “fakti që rezultatet e evidentojnë një ndikim kaq të lartë që i atribuohet drejtpërsëdrejti sëmundjes COVID-19 tregon se shkatërrimtar ka qenë ndikimi i tij në shumë vende”.

“Bëjmë thirrje urgjente për publik dhe qasshmëri në të dhënat më të zbërthyera prej një game më të gjerë vendesh, përfshirë ato me të ardhura më të ulëta dhe të mesme, ashtu që të kuptohet më mirë ndikimi i pandemisë në mbarë botën”, ka theksuar ajo për gazetën britanike.