Më shumë se një e treta e të mbijetuarve të COVID-19 sipas vlerësimeve do të zhvillojnë probleme të tilla të vazhdueshme. Tani me Omicronin, që po përhapet në të gjithë globin, shkencëtarët po garojnë për të gjetur trajtime përpara një shpërthimi të mundshëm në rastet e gjata me COVID
Më shumë se një vit pas përballjes me COVID-19, Rebekah Hogan ende vuan nga dhimbjet e kokës dhe lodhja që e kanë lënë atë të paaftë ta bëjë punën e saj të infermierisë ose të merret me aktivitetet shtëpiake.
COVID-i i gjatë e ka vënë në dyshim vlerën e saj si grua e si nënë.
“A është kjo e përhershme? A është kjo norma e re?”, pyeste 41-vjeçarja nga Latham, New York, tre fëmijët dhe burri i së cilës po ashtu kanë shenja të kësaj gjendjeje. “Dua të më kthehet jeta ime”.
Më shumë se një e treta e të mbijetuarve të COVID-19 sipas vlerësimeve do të zhvillojnë probleme të tilla të vazhdueshme. Tani me Omicronin që po përhapet në të gjithë globin, shkencëtarët po garojnë për të gjetur trajtime përpara një shpërthimi të mundshëm në rastet e gjata me COVID.
A mund të jetë një çrregullim autoimun? Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin se COVID-19 i gjatë i prek vetëm gratë në mënyrë disproporcionale, të cilat kanë më shumë gjasa se burrat të zhvillojnë sëmundje autoimune. A mund të jenë mikroklotet shkaku i simptomave që variojnë nga mungesa e kujtesës deri te gishtat e çngjyrosur? Kjo bën kuptim, pasi mpiksja jonormale e gjakut mund të ndodhë në COVID-19.

Derisa këto dhe disa të tjera teori janë testuar, ka prova të reja që vaksinimi mund t’i zvogëlojë shanset e zhvillimit të gjatë të COVID-it.
Është shumë herët për ta ditur nëse njerëzit e infektuar me variantin Omicron ngjitës do të zhvillojnë plejadën misterioze të simptomave, që zakonisht diagnostikohen shumë javë pas sëmundjes fillestare. Mirëpo, disa ekspertë mendojnë se një valë e gjatë e COVID-19 është e mundshme dhe thonë se mjekët duhet të përgatiten për të.
Me 1 miliard dollarë nga Kongresi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë po financon një gamë të gjerë kërkimesh mbi gjendjen. Kurse klinikat e përkushtuara për studimin dhe trajtimin e tij po shfaqen në mbarë botën, të lidhura me vende të tilla si Universiteti Stanford në Kaliforni dhe Kolegjin Universitar në Londër.
Pse ndodh?
Momentalisht po flitet për disa teori kryesore.
Njëra është se infeksioni ose mbetjet e virusit vazhdojnë pas sëmundjes fillestare, duke shkaktuar inflamacion që çon në COVID të gjatë.
Një tjetër është se viruset latente në trup, si virusi Epstein-Barr që shkakton mononukleozën, riaktivizohen. Një studim i kohëve të fundit në revistën Cell vuri në dukje Epstein-Barr në gjak si një nga katër faktorët e mundshëm të rrezikut, të cilët përfshijnë gjithashtu diabetin e tipit 2 para-ekzistues dhe nivelet e ARN-së së koronavirusit dhe antitrupave të caktuar në gjak. Këto gjetje duhet të konfirmohen me më shumë kërkime.
Një teori e tretë është se reagimet autoimune zhvillohen pas COVID-19 akut.
Në një përgjigje normale imune, infeksionet virale aktivizojnë anti-trupat që luftojnë proteinat pushtuese të virusit. Mirëpo nganjëherë pas kësaj, antitrupat mbeten të ndezur e gabimisht sulmojnë qelizat normale. Mendohet se ky fenomen luan një rol të rëndësishëm në sëmundjet autoimune sikurse lupusi dhe skleroza e shumëfishtë.
Jystyna Fert-Bober dhe Dr. Susan Cheng ishin në mesin e studiueseve në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Anxhelos, të cilat zbuluan se disa njerëz që kanë pasur COVID-19, duke i përfshirë edhe rastet pa simptoma kanë një shumëllojshmëri të këtyre “autoantitrupave” të aktivizuar deri në gjashtë muaj pas shërimit. Disa prej tyre janë të njëjtat që gjenden te njerëzit më sëmundje autoimune.
Një mundësi tjetër është që mpiksjet e vogla të luajnë rol në COVID-in e gjatë. Shumë pacientë me COVID-19 zhvillojnë nivele të larta të molekulave inflamatore që nxisin koagulimin jonormal. Kjo mund të çojë në mpiksje gjaku në të gjithë trupin që mund të shkaktojë goditje, sulme në zemër dhe bllokime të rrezikshme në këmbë dhe krahë.
Në laboratorin e saj në Universitetin Stellenbosch në Afrikën e Jugut, shkencëtarja Resia Pretorius ka gjetur mikroklote në mostrat e gjakut nga pacientët me COVID-19 dhe tek ata që më vonë zhvilluan gjatë COVID-19. Ajo gjithashtu gjeti nivele të larta të proteinave në plazmën e gjakut që parandaluan prishjen normale të këtyre mpiksjeve.
Shkencëtarja beson se këto anomali të koagulimit vazhdojnë te shumë pacientë pas një infeksioni fillestar me koronavirus dhe se ato reduktojnë shpërndarjen e oksigjenit në qeliza dhe inde në të gjithë trupin, duke çuar në shumicën, nëse jo të gjitha simptomat që kanë qenë të lidhura me COVID-in e gjatë.
Mund ta sulmojë këdo
Përderisa nuk ka një listë të saktë të simptomave që përcaktojnë gjendjen, më të zakonshmet përfshijnë lodhjen, problemet me kujtesën dhe të menduarit, humbjen e shijes dhe nuhatjes, gulçim, pagjumësi, ankth dhe depresion.
Disa nga këto simptoma mund të shfaqën fillimisht gjatë një infeksioni fillestar, mirëpo vazhdojnë ose përsëriten një muaj ose shumë më vonë. Ose mund të zhvillohen simptoma të reja, që zgjasin për javë, muaj a mbi një vit.
Për shkak se shumë nga simptomat shfaqen me sëmundje të tjera, disa shkencëtarë vënë në dyshim nëse koronavirusi është gjithmonë shkaktari. Studiuesit shpresojnë se puna e tyre do të japë përgjigje përfundimtare.
COVID-i i gjatë i prek të gjitha moshat madhore, madje edhe fëmijët. Hulumtimet tregojnë se është më i hapur në mesin e atyre që u shtruan në spital, ama ka goditur edhe një pjesë të konsiderueshme të asaj që nuk ishin.
Përplasja e stjuardesës në pension Jacki Graham me COVID-19 në fillim të pandemisë nuk ishte edhe aq e keqe sa të bëhej për spital. Por disa muaj më vonë, ajo kishte përjetuar gulçim dhe rrahje të shpejta zemre. Nuk mund të shijonte a të nuhaste, kurse presioni i saj i gjakut u rrit.
Në vjeshtën e vitit 2020, ajo u lodh aq shumë saqë joga e saj në mëngjes e kthente prapë në shtrat.
“Unë zgjohem herët, kështu që ngrihesha dhe e shtyja veten disi, por më pas nuk mund të bëja asgjë, ka thënë Graham, 64 vjeç, nga Studio City, Kaliforni. “Gjashtë muaj më parë, do t’ju kisha thënë se COVID-i ma ka shkatërruar jetën”.
Hogan, infermierja e New York-ut, gjithashtu nuk u shtrua në spital me COVID-19, por ka qenë e dobësuar që nga diagnoza e saj. Burri i saj, një veteran me aftësi të kufizuara, dhe fëmijët e moshës 9, 13 dhe 15 vjeç u sëmurën menjëherë pas kësaj dhe u sëmurën me ethe, dhimbje stomaku dhe dobësi për rreth një muaj. Më pas dukej se gjithçka u bë pak më mirë derisa u shfaqën simptoma të reja.
Përktheu: Blerta Haxhiu