Lifestyle

Njeriu që jetoi 100 ditë me zemër artificiale nga titani

Zemra nga titani e BiVACOR

Zemra nga titani e BiVACOR

Një burrë australian jetoi për 100 ditë me një zemër artificiale nga titani, ndërsa priste një transplant nga ndonjë donator, ka raportuar CNN.

Pacienti, një burrë në të 40-at, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, iu nënshtrua operacionit në spitalin St. Vincent’s Hospital Sydney në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Në muajin shkurt, ai u bë personi i parë në botë që doli nga spitali me këtë pajisje, e cila e mbajti gjallë deri sa u gjend një zemër nga një donator në fillim të këtij muaji.

Sipas një deklarate të përbashkët nga St. Vincent’s Hospital, Monash University dhe kompania BiVACOR, pacienti, i cili vuante nga një dështim i rëndë i zemrës, është “duke u rikuperuar mirë”.
 

Nga e djathta në të majtë: profesori Chris Hayward dhe doktori Paul Jansz, të cilët kanë punuar me doktorin Daniel Timms që zemra artificiale nga titani të bëhet gati për testim.

Alternativë e re për pacientët në pritje të një transplanti

Fakti që pajisja mundi ta mbante pacientin gjallë për kaq gjatë është shenjë premtuese se zemra artificiale mund të bëhet zgjidhje afatgjatë për personat që vuajnë nga dështimi i funksionit të zemrës. Pajisja është ende në fazën e testimit dhe nuk është aprovuar për përdorim të gjerë.
Themeluesi i BiVACOR, bioinxhinieri australian Daniel Timms, e krijoi këtë pajisje pas humbjes së babait të tij nga sëmundjet e zemrës. Ai e përshkroi këtë arritje si një moment të jashtëzakonshëm.
“Është emocionuese të shohësh dekada pune që më në fund japin rezultate”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se guximi i pacientit dhe familjes së tij do të ndihmojë shumë të tjerë në të ardhmen.
“I gjithë ekipi i BiVACOR është thellësisht mirënjohëse ndaj pacientit dhe familjes së tij për besimin e treguar ndaj ‘Total Artificial Heart’. Trimëria e tyre do të hapë rrugën për qindra pacientë të tjerë që të përfitojnë nga kjo teknologji shpëtuese”, ka thënë Timms.

Si funksionon zemra artificiale?

BiVACOR Total Artificial Heart (TAH) ka vetëm një pjesë lëvizëse – një rotor i cili mbahet nga magnetet dhe është e krijuar nga titani. Zemra artificiale pompon gjakun në trup dhe mushkëri, duke zëvendësuar të dyja barkushet e një zemre të dëmtuar.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë, duke marrë rreth 18 milionë jetë çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për shumë pacientë që presin transplant, kjo teknologji mund të bëhet një zgjidhje jetike.

Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë, rreth 3,500 persona iu nënshtruan transplantit të zemrës në vitin 2024, ndërsa 4,400 të tjerë u shtuan në listën e pritjes.

Profesori Chris Hayward nga Victor Chang Cardiac Research Institute e cilësoi këtë zhvillim si një pikë kthese.

“Zemra artificiale BiVACOR po hap një epokë të re për transplantet e zemrës. Brenda dekadës së ardhshme, do ta shohim këtë pajisje si alternativë për pacientët që nuk mund të presin një zemër donatori ose kur një donator nuk është në dispozicion”, ka thënë Hayward.

Hapat e ardhshëm në zhvillimin e pajisjes

Pajisja është testuar tashmë në Studimin e Hershëm të Fizibilitetit të miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të Shtetet e Bashkuara, ku pesë pacientë janë trajtuar me sukses me këtë pajisje.

I pari ishte një burrë 58-vjeçar me dështim të avancuar të zemrës, i cili iu nënshtrua operacionit në Qendrën Mjekësore në Teksas në muajin korrik të vitit të kaluar. Pajisja e mbajti atë gjallë për tetë ditë deri sa u gjet një donator.

Katër pacientë të tjerë janë përfshirë në këtë studim, që synon të vlerësojë sigurinë dhe performancën e pajisjes derisa pacientët të gjejnë një zemër nga ndonjë donator. Objektivi është që prova klinike të zgjerohet në 15 pacientë.

Në Australi, ky transplant ishte i pari në një seri të planifikuar nga Artificial Heart Frontiers Program i Monash University, projekt me vlerë 50 milionë dollarë australianë (31 milionë dollarë amerikanë) që synon zhvillimin dhe komercializimin e tre pajisjeve të ndryshme për trajtimin e dështimit të zemrës.