Një studim i ri, që është publikuar në revistën CELL, thekson rolin e molekulës që quhet BMP, molekulë yndyrore unike në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe lidhjen e saj me sëmundjet neurodegjenerative si demenca dhe Alzheimeri.
Biologu i qelizave, Shubham Singh nga Instituti "Sloan Kettering" në New York, bashkë me kolegët e tij, zbuluan se BMP-ja vepron si një mbledhëse mbeturinash të molekulave tjera yndyrore (lipidet), ndonëse është lipid vetë, duke parandaluar grumbullimin e toksinave në tru, ka shkruar ScienceAlert.
Sekreti i stabilitetit të BMP-së qëndron në strukturën e saj të veçantë, e cila është e formuar nga dy enzime specifike (PLD3 dhe PLD4) në lizozome.
Nivelet e ulëta të BMP-së, veçanërisht te pacientët me demencë fronttemporale, lejojnë grumbullimin e gangliosideve, sheqerna yndyrore të dëmshme që shkatërrojnë neuronet e trurit dhe palcës kurrizore, duke çuar në sëmundje si gangliosidoza.
Kur qelizat me ganglioside trajtohen me anë të BMP-së, ato rikuperohen.
Këto gjetje sugjerojnë se mutacionet në këto enzima mund të ndikojnë ndjeshëm në prodhimin e BMP-së, duke lidhur disbalancin e lipideve me sëmundjen e Alzheimerit.
Ky studim hap mundësi të reja për të kuptuar rrugët biologjike të komplikuara që lidhen me demencën, duke ofruar shpresë për strategji të reja të trajtimit përmes terapive ndërsa studiuesit vazhdojnë të bëjnë studime në mënyrë që të zgjidhin enigmën e funksionit dhe sëmundjeve të trurit.