Mjekët nga një klinikë në Londër kanë deklaruar se kanë gjetur një mënyrë për të “pastruar gjakun” nga mikroplastika, pjesëza të vogla plastike që janë zbuluar në gjak, tru, zorrë.
Në një intervistë për Wired, drejtoresha ekzekutive e “Clarify Clinics”, Yael Cohen, ka thënë se procedura e tyre ekskluzive e emëruar “Clari”, është aq e rehatshme, saqë disa pacientë flenë gjatë saj.
“Kur fillon procedura, nuk ndien asgjë. Është shumë komode. Pacientët marrin telefonata, bëjnë biseda në ‘Zoom’, shikojnë filma, flenë... ata që flenë janë të preferuarit e mi”, ka thënë Cohen.
Procedura kushton më shumë se 12,000 dollarë për seancë, dhe tërheq klientë që vuajnë nga lodhja kronike, mjegulla në tru, pasojat e gjata të covid-it apo sëmundje si Lupusi.
Megjithatë, nuk ka ende studime që vërtetojnë se kjo metodë pastron me të vërtetë mikroplastikën nga trupi.
Shkencëtarët kanë zbuluar se mikroplastika mund të dëmtojë qelizat njerëzore dhe të ndikojë në zemër, por këto janë studime vëzhguese, jo prova shkencore përfundimtare.
Sidoqoftë, vetë procedura e terapisë me shkëmbim plazme, që përdoret në disa sëmundje autoimune dhe neurologjike, është e miratuar dhe efektive.
Interesi për pastrimin e gjakut u rrit edhe falë Bryan Johnson, një sipërmarrës dhe influencer që ka eksperimentuar me procedura ekstreme si “shkëmbimi total i plazmës”, ku e gjithë plazma në trup zëvendësohet me proteina dhe antitrupa të rinj.
“Ai ka një platformë të madhe dhe po shpenzon shumë kohë dhe energji për të gjetur gjërat që ndikojnë më shumë”, ka thënë Cohen për Johnson.
Gazetari i Wired, Matt Reynolds, nuk e ka provuar trajtimin, por ka bërë një test të thjeshtë të gjakut për mikroplastikë.
Rezultati i analizës së tij tregoi se kishte rreth 190 grimca mikroplastike për mililitër, që konsiderohet nivel i ulët.
Megjithatë, Cohen ia kujtoi një realitet të pakëndshëm.
“Ende ke rreth një milion grimca në sistemin tënd qarkullues!”, i shkroi ajo me email.