Lifestyle

Mitet dhe faktet e një virusi global

Zyrtarë të shëndetit publik, kontrollues të fakteve dhe mjekët janë munduar që t’i shtypin me mijëra thashetheme në mënyrë të pafundme. Por dezinformimet lidhur me pandeminë kanë mbijetuar, duke u shpërndarë madje po aq hovshëm sa vetë virusi. Dhe teksa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kanada vaksinat kundër koronavirusit kanë nisur që të shpërndahen e të jepen funddhjetorin e vitit që lamë pas, shumë të pavërteta kanë shpërthyer në rrjetet online lidhur me ilaçin

Chicago, SHBA, dhjetor (AP) – Duke nisur prej spekulimeve se koronavirusi është krijuar në një laborator e deri te kurat e rreme për sëmundjen që ai shkakton, një numër jashtëzakonisht i madh i informatave të paqena kanë shoqëruar shpërthimin e COVID-19, duke qarkulluar përreth gjithë globit gjatë tërë vitit 2020.

Zyrtarë të shëndetit publik, kontrollues të fakteve dhe mjekët janë munduar që t’i shtypin me mijëra thashetheme në mënyrë të pafundme. Por dezinformimet lidhur me pandeminë kanë mbijetuar, duke u shpërndarë madje po aq hovshëm sa vetë virusi. Dhe teksa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kanada vaksinat kundër koronavirusit kanë nisur që të shpërndahen e të jepen funddhjetorin e vitit që lamë pas, shumë të pavërteta kanë shpërthyer në rrjetet online lidhur me ilaçin.

Në vijim janë pesë mite “kokëforta” që kanë rrethuar COVID-19 dhe janë shpërndarë gjatë gjithë vitit, duke e vazhduar përhapjen edhe më të gjerë.

Miti 1: Maskat nuk ofrojnë mbrojtje nga virusi

Image

Ç’është e vërteta, maskat po që ofrojnë mbrojtje prej koronavirusit.

Sidoqoftë, mesazhe të përziera lidhur me çështjen kanë shkaktuar konfuzion të madh gjatë tërë vitit. Zyrtarët amerikanë fillimisht u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre se nuk kanë nevojë që të bartin apo të blejnë maska. Krejt kjo në kohën kur ka ekzistuar mungesë e theksuar e maskave N95, për personelin mjekësor dhe shëndetësor.

Më vonë, ata e ndryshuan këtë rekomandim, duke e nxitur publikun që të bartë maska prej materiali apo mbulesa të tjera të fytyrës në vendet publike.

Mesazhet e hershme që janë vënë në qarkullim u kanë ofruar njerëzve “fare pak hapësirë për t’i filtruar këta narrativë” kundër bartjes së maskave, ka shpjeguar Stephanie Edgerly, profesoreshë e komunikimeve në Universitetin Northwestern.

Disa përdorues të medieve sociale, për shembull, ende janë duke e vënë në qarkullim një videoxhirim të muajit mars, në të cilin eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve ngjitëse, Anthony Fauci, u thotë qytetarëve se “nuk do të duhej të silleshin vërdallë duke bartur maska”. Kjo ani pse ai asokohe kishte nxitur njerëzit që t’i mbulonin fytyrat me maska në publik.

Versionet e këtij klipi janë shikuar me miliona herë në Facebook, YouTube dhe Twitter.

Pretendimet online se maskat nuk janë një formë efikase e mbrojtjes kanë shpërthyer përsëri në tetor, pasi që presidenti amerikan, Donald Trump, dhe dy senatorë amerikanë u sëmurën nga COVID-19 gjatë një ceremonie në Kopshtin e Trëndafilave, ka bërë të ditur kompania e inteligjencës mediatike “Zignal Labs”. Përdoruesit e medieve sociale kanë pretenduar se mbulesat nuk duhet të jenë efikase, ngase senatorët i kishin bartur ato në disa rrethana të ngjarjes në fjalë.

Ama maskat po që e parandalojnë përhapjen e grimcave të virusit. Gjatë muajit nëntor qendrat amerikane për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve, të cilat kanë vazhduar që t’i këshillojnë amerikanët për t’i bartur maskat, kanë cituar një studim që sugjeron se maskat mund të mbrojnë bartësin, sikurse edhe personat e tjerë përreth.

Miti 2: Virusi i bërë nga njeriu

Image

Ndonëse shumë është përfolur për këtë punë gjatë gjithë vitit, por edhe më parë, virusi në fakt nuk është rezultat i dorës së njeriut.

Përdoruesit e medieve sociale dhe uebfaqet e pakontrolluara janë bërë bashkë në promovimin e një teorie konspirative që pretendon se virusi ka rrjedhur – qoftë aksidentalisht apo qëllimshëm – nga një laborator në Wuhan të Kinës, para se Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallte COVID-19-shin pandemi në mars. Ky pretendim i pabazë është fuqizuar edhe nga vetë zyrtarët e zgjedhur botërorë, përfshirë në këtë mes presidentin Trump.

Origjina e virusit është shumë pak skandaloze: Ajo, sipas të gjitha gjasave, ka origjinën nga natyra. Lakuriqët besohet të jenë bartësit fillestarë apo nikoqirët e ndërmjetmë që kryesisht i bartin viruset e shumta dhe se i kanë shkaktuar gjithashtu edhe epidemitë e fundit, përfshirë ato të COVID-19. Agjencitë amerikane të Inteligjencës kanë konstatuar gjithashtu se virusi nuk është i prodhuar nga njeriu.

Megjithëkëtë, kjo teori e konspiracionit është përhapur furishëm nëpër rrjetet online dhe ka shpërthyer sërish në nëntor, kur një virolog kinez e përsëriti pretendimin në “Fox News”.

Miti 3: COVID-19 i ngjashëm me gripin

Ç’është e vërteta, COVID-19 është dëshmuar të jetë shumë më vdekjeprurës sesa gripi.

Ngjashmëritë e hershme midis simptomave të COVID-19 dhe gripit kanë shpënë drejt spekulimeve se nuk ekzistojnë dallime të shumta midis dy sëmundjeve. Postimet në mediet sociale dhe videot e shikuara me mijëra herë online po ashtu pretendojnë se COVID-19 është shumë më vdekjeprurës sesa gripi. Presidenti amerikan kishte postuar në Twitter një krahasim të gabueshëm midis grupit dhe sëmundjes pandemike gjatë muajve mars dhe tetor, teksa shtetet amerikane po i zbatonin urdhrat e qëndrimit brenda shtëpive.

COVID-19 është fajësuar për vdekjen e më shumë se 300.000 amerikanëve gjatë vitit 2020 dhe për më shumë se 1.5 milionë personave në krejt botën. Sa për krahasim, qendrat amerikane për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve kanë përllogaritur se për çdo vit shënohen ndërmjet 12.000 deri në 61.000 vdekje të ndërlidhura nga gripi në botë.

Simptomat e COVID-19 mund të jenë shumë më serioze dhe të zgjasin për muaj të tërë. Ekspertët shëndetësorë kanë zbuluar gjithashtu një gamë të gjerë të simptomave bizare të koronavirusit, duke nisur nga mjegullimet e kujtesës e deri tek ënjtja e shputave të këmbëve.

Miti 4: Po ekzagjerohen shifrat e COVID-19

Image

Ani pse shumëkush ka pretenduar se të dhënat lidhur me rastet e sëmundjes janë ekzagjeruar, një gjë e tillë në fakt nuk ka ndodhur.

Përdorues të rrjeteve sociale kishin nisur t’i fotografonin dhomat e boshatisura të pritjes nëpër spitale, në fillim të vitit. Me këtë kanë pretenduar se ka fare pak persona të sëmurë.

Fotografitë dhe videot e tilla janë shoqëruar me hashtagun #FilmYourHospital (#XhirojiniSpitaletTuaja), si pjesë e teorisë djathtiste të konspiracionit se zyrtarët e shëndetit publik dhe politikanët janë duke i fryrë shifrat e vdekjeve nga COVID-19. Por përherë e më pak njerëz lidhen në zonat e pritjes, ngase spitalet kanë filluar që t’i lënë takimet me pacientët nëpërmjet lidhjeve online, duke i pezulluar procedurat e rëndomta dhe duke i ndaluar vizitorët në kohë pandemie.

Gjatë dhjetorit selfieja e një mjeku nga Nevada brenda një qendre boshe të kujdestarisë është shpërndarë online si dëshmi se spitalet nuk janë të stërmbushura.

Sidoqoftë, fotografia rezulton të ishte shkrepur më 12 nëntor, para se kjo qendër të ishte hapur për pranimin e pacientëve. Që atëherë ajo kishte shërbyer të paktën 200 pacientë.

Miti 5: Virusi, hile për nxitjen e vaksinimit global

Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë.

Mbështetësit e fushatës kundër vaksinimit e kanë çuar përpara këtë teori të konspiracionit qysh prej janarit, kur disa kanë pretenduar rrejshëm online se virusi ishte patentuar nga kompanitë farmaceutike si një skemë për të përfituar para nga sëmundja. Disa e kanë vënë madje në shënjestër miliarderin dhe mbrojtësin e njohur të vaksinimit, Bill Gates, duke pretenduar se ai ishte pjesë e një plani global rreth COVID-19 për t’u vendosur mikroçipa miliarda njerëzve nëpërmjet vaksinimit masiv. Gates nuk kishte synuar t’i vendoste çipa askujt. Në vend të kësaj, ai kishte sugjeruar krijimin e një databaze të njerëzve që ishin vaksinuar kundër virusit.

Skepticizmi ka qenë i lartë edhe për sa i përket shpejtësisë së zhvillimit të vaksinës. Një video e shikuar afër 100 mijë herë në medie sociale, për shembull, ka pretenduar rrejshëm se kompanitë farmaceutike kanë kapërcyer testimet tek kafshët për vaksinën. Në fakt, vaksinat janë testuar tek minjtë dhe majmunët.

Britania, Kanadaja dhe Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve kanë autorizuar vaksinën e “Pfizer”-it të parat. FDA-ja ka rishikuar edhe vaksinën e dytë të kompanisë “Moderna”.

Megjithëkëtë, vetëm rreth gjysma e amerikanëve pretendojnë se janë të gatshëm që të vaksinohen, ka treguar një studim i kryer në funddhjetor i agjencive “Associated Press”-“Qendra NORC për Studime të Çështjeve Publike”.

Dezinformimi i vazhdueshëm lidhur me vaksinimin druhet se mund të thellojë këtë shkallë të hezitimit.

“Nuk mendoj se ishte një mit ai që shkaktoi problemin”, ka thënë Nancy Kass, zëvendësdrejtoreshë e Shëndetit Publik në Institutin e Bioetikës “Johns Hopkins”. “Është fakti se ekzistojnë shumë, shumë, shumë mite”.