Mikroplastikat, pjesëza plastike të vogla që shpesh janë të padukshme me sy të lirë, gjenden kudo, në ujë, ajër dhe madje edhe në rroba.
Këto pjesëza plastike po depërtojnë në trupin e njeriut në mënyra që dikush mund të mos i kuptojë.
“Eliminimi i plotë i përdorimit të plastikës në jetën tonë të përditshme do të jetë shumë i vështirë”, ka thënë doktori Nhan Nguyen për Newsweek.
Megjithatë, sipas tij është e rëndësishme të kuptohen rreziqet e fshehura dhe të gjenden zgjidhje praktike për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikave.
Ekspertë të tjerë, si drejtori i biologjisë Aidan Charron, kanë identifikuar disa gjëra të përditshme që duhet shmangur për të kufizuar kontaktin me mikroplastikat.
Charron ndau pesë produkte të zakonshme që kontribuojnë në ndotjen e ambientit me mikroplastika dhe sugjeroi mënyra për të reduktuar praninë e tyre në jetën e përditshme.
Mikroplastikat formohen kur plastika e madhe shpërbëhet me kalimin e kohës. Këto pjesëza mund të përmbajnë kimikate të dëmshme, si Bisfenol A (BPA), ftalate dhe polivinil kloridi (PVC), të cilat mund të shkaktojnë pasoja të rënda shëndetësore.
BPA, për shembull, ndodhet në enët nga plastika që përdoren për të ruajtur ushqimin dhe lidhet me çrregullimet hormonale. Ftalatet janë komponime kimike që i bëjnë plastikat fleksibile, por janë të lidhura me probleme riprodhuese, ndërsa PVC, i përdorur shpesh në ambalazhe, liron komponime toksike kur shpërbëhet.
Reduktimi i përdorimit të plastikës është thelbësor për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.
5 hapa të vegjël për të kufizuar përdorimin e plastikës
Megjithëse është e vështirë që plotësisht të shmanget plastika, ka disa hapa që mund të ndermirën për të reduktuar përdorimin e saj në jetën e përditshme.
Shishet plastike të ujit
Plastika që përdoret vetëm një herë, përfshirë shishet e ujit, duhet shmangur. Ajo shkakton ndotje të madhe të ambientit dhe dëme për botën e egër. Një studim i fundit ka zbuluar se deri në 240,000 nanoplastika gjenden në një shishe uji.
“Duhet të ndalohet sa më shpejt përdorimi i plastikës njëpërdorimshme”, ka thënë Aiden Charron, drejtoreshë e Inciciativës për Fundin e Plastikës.
Enët nga plastika për mikrovalë
Këshillohet të shmanget përdorimi i enëve plastike që janë të etiketuar “për përdorim në mikrovalë”. Kimikatet në këto plastika mund të kalojnë në ushqim, sidomos kur nxehen.
“Edhe kur prodhuesi thotë se plastika është e ‘përshtatshme për mikrovalë’, konsumatori duhet të dijë se kimikatet e përdorura mund të kalojnë drejtpërdrejt në ushqim. Përdorni enë xhami për ngrohjen e ushqimit”, ka thënë tutje Charron.
Pajisjet për kuzhinë të bëra nga plastika
Pajisjet plastike të kuzhinës, si lugët dhe enët me shtresë jongjitëse, mund të lëshojnë kimikate që kalojnë në ushqim. Plastika është gjithashtu e tretshme në yndyra, kështu që kur ruhen ushqime të yndyrshme në enë plastike, kimikatet mund të kalojnë në ushqim.
“Shmangni plastikat dhe përdorni enë xhami, enë pa shtresa jo-ngjitëse dhe mjetet prej druri”, ka sugjeruar Charron.
Zëvendësimi i produkteve kozmetike nga palstika si dhe atyre të higjienës
Produktet e kujdesit personal shpesh vijnë në paketime plastike dhe krijojnë ndotje të madhe.
Në vitin 2018, 7.9 miliardë njësi plastike u krijuan vetëm në SHBA për tregun e produkteve të bukurisë.
“Shumë e vështirë është të dimë çfarë ka në produktet e higjienës, prandaj është më mirë të kaloni në produkte pa plastikë”, ka thënë tutje Charron.
Shmangia e veshjeve me përmbajtje të poliesterit
Poliesteri, një fibër sintetike që përdoret për shumicën e rrobave, është një lloj plastike.
Ai lëshon mikrofibra plastike në ajër dhe krijon pluhur plastik në shtëpi, i cili mund të jetë i dëmshëm, sidomos për foshnjat.
“Të gjithë duhet të evitoni veshjet sintetike dhe të kaloni në fibra natyrale si pambuku ose leshi”, ka thënë ndër të tjera Charron.