Lifestyle

Mbajtja për dore si ilaç natyral kundër dhimbjes

Prekja e njeriut është e rëndësishme. Masazhet na ndihmojnë të relaksohemi, përqafimet na ngushëllojnë, ndërkohë që pothuajse çdo këngë pop duket se titullohet “Touch My Body” ose diçka e tillë. Hulumtimet e reja tregojnë se sa e rëndësishme mund të jetë prekja. Kur keni dhimbje, mbajtja e dorës së partnerit tuaj romantik e bën atë më pak intensive.

Eksperimenti i mbajtjes së dorës

Në një studim të kohëve të fundit, hulumtuesit i studiuan 22 çifte heteroseksuale të vendosur në situata të ndryshme për intervale dy minutëshe. Ndonjëherë ata mbaheshin për duar; ndonjëherë ishin në të njëjtën dhomë, por nuk prekeshin; dhe ndonjëherë ishin në dhoma të afërta, transmeton Koha.net. Në situatë ishte përfshirë edhe dimensioni i dhimbjes: Në disa situata, në femrën në çift ishte aplikuar nxehtësia në parakrahun e saj, e dizajnuar për ta arritur nivelin 60 në shkallën e dhimbjes prej 0 deri në 100.

Hulumtuesit e zgjodhën femrën si “objektiv të pandryshueshëm të dhimbjes”, sepse hulumtimet e mëparshme treguan se ato nxisnin më shumë empati. Kjo gjithashtu e manifestoi një skene tipike të lindjes, gjë që ishte e përshtatshme pasi që i gjithë studimi filloi në një dhomë të lindjes. Autorit kryesor Pablo Goldstein i lindi kjo ide derisa gruaja e tij po e lindte vajzën e tyre.

“Gruaja ime ishte në dhimbje, dhe e gjitha që mund ta mendoja ishte: 'Ç'mund të bëj për ta ndihmuar atë?' E kapa dorën e saj dhe kjo duket se ndihmoi,” tha ai në një deklaratë. “Doja ta testoja atë në laborator: A mund të reduktohet me të vërtetë dhimbja me prekje, dhe nëse po, si?”

Ai dhe bashkëautorët e tij menduan se mund të ekzistojë një lidhje midis dhimbjes dhe “sinkronizimit ndërpersonal”, një fenomen ky fizik ku pa vetëdije i sinkronizojmë rrahjet tona të zemrës, frymëmarrjen dhe aktivitetin e trurit me një person tjetër. Gjithashtu mund të vëreni se kur ecni me një mik, hapat tuaj sinkronizohen – edhe ky është sinkronizim ndërpersonal. Për ta testuar hipotezën e tyre, hulumtuesit i monitoruan rrahjet e zemrës, frymëmarrjen dhe valët e trurit të dy partnerëve gjatë çdo situate.

Ata zbuluan se sinkronizimi në të gjitha matjet ishte më i larti kur të dy partnerët po mbaheshin për duar dhe femra ishte në dhimbje, dhe për më tepër, kjo mbajtje e duarve me partnerin e saj e reduktoi dhimbjen e femrës, përcjell Koha.net. Në vend që mashkulli ta “ndjente dhimbjen e saj”, siç thotë klisheja, ajo e ndjeu dhe e absorboi mungesën e tij të dhimbjes.

A është mbajtja e dorës ilaçi i ri kundër dhimbjes

Nuk do t’ju sugjeronim ende t’i hidhni ilaçet kundër dhimbjes, por këto rezultate sugjerojnë se ekziston një arsye fiziologjike se pse mbahemi për duar, veçanërisht tek njerëzit që vuajnë. Hulumtuesit gjithashtu sugjerojnë se partnerët mund t’ju dalin vërtetë në ndihmë gjatë procesit të lindjes.

Ajo që mbetet e paqartë është se si funksionon kjo. Autorët mendojnë se çiftet mund të sinkronizohen në një nivel bazë kurdo që të jenë së bashku. Megjithatë, dhimbja e pengon këtë status quo. Në studim, sinkronizimi midis çifteve që nuk prekeshin e që ishin në të njëjtën dhomë, ra kur femra ndjeu dhimbje. Kjo mund të jetë sepse dhimbja e kthen vëmendjen tuaj drejt brendësisë, drejt vuajtjeve tuaja. Mbajtja për duar - ose ndoshta çdo prekje fizike - dukej se e ringjallë dhe e intensifikon atë sinkronizim bazik.

Ky sinkronizim i rritur mund të jetë lehtësues i dhimbjes, por mund të jetë gjithashtu simptomë e lehtësimit të dhimbjes ose vetëm një gjë rastësore që lidhet me lehtësimin e dhimbjes. Të dy faktorët gjithashtu lidhen me një faktor të tretë - niveli i empatisë së mashkullit për femrën, i vlerësuar nëpërmjet pyetësorit, transmeton Koha.net. Meshkujt më empatikë përjetuan sinkronizim më të madh kur femra ishte në dhimbje, dhe kjo çoi në reduktimin e mëtejshëm të dhimbjes për femrën. Do të nevojiten më shumë hulumtime për ta kuptuar se si dhe pse e gjithë kjo funksionon, por ndjenja e lidhjes simultane emocionale dhe fizike duket të jetë ilaç i mrekullueshëm.