Lifestyle

Majmunët e infektuar me ebola shërohen me një pilulë, rriten shpresat për trajtime të reja te njerëzit

Majmunët e infektuar me ebola shërohen me një pilulën Obeldesivir

Majmunët e infektuar me ebola shërohen me një pilulën Obeldesivir

Një studim i ri ka treguar se majmunët e infektuar me virusin vdekjeprurës ebola mund të shërohen me një pilulë, gjë që mund të hapë rrugën për trajtime më të lehta dhe më të përballueshme për njerëzit.
Ebola, e identifikuar për herë të parë në vitin 1976 dhe e cila dyshohet se është transmetuar nga lakuriqët e natës, është sëmundje virale që përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore, duke shkaktuar gjakderdhje të brendshme dhe dështim të organeve.

Deri më tani, përpjekjet për trajtimin e saj kanë hasur në vështirësi, kryesisht për shkak të mungesës së incentivave financiare për kompanitë farmaceutike, pasi shpërthimet e virusit ndodhin kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane. Për më tepër, natyra e rrallë dhe e paparashikueshme e shpërthimeve ka vështirësuar realizimin e studimeve klinike, ka raportuar Medical Xpress.

Një vaksinë u miratua gjerësisht vetëm në vitin 2019, ndërsa dy trajtime në mënyrë intravenoze me antitrupa kanë treguar efikasitet, por kërkojnë ruajtje në temperatura të ulëta dhe janë të vështira për t’u administruar në zonat më të varfra të botës.

Trajtim i lehtë për t’u përdorur

“Ne po përpiqemi të zhvillojmë një trajtim më praktik, më të thjeshtë për t’u përdorur, që mund të ndihmojë në parandalimin, kontrollin dhe frenimin e shpërthimeve”, ka thënë për AFP-në, Thomas Geisbert, virolog në Universitetin e Teksasit në Galveston dhe udhëheqës i studimit të publikuar në Science Advances.

Për eksperimentin e tyre, Geisbert dhe ekipi i tij kanë testuar ilaçin antiviral Obeldesivir, version oral i Remdesivirit intravenoz, i zhvilluar fillimisht për virusin COVID-19. Obeldesiviri është një “inhibitor i polimerazës”, që do të thotë se bllokon një enzimë thelbësore për replikimin e virusit.

Rezultate premtuese

Ekipi infektoi dy lloje majmunësh, rhesus dhe cynomolgus makakë, me një dozë të lartë të variantit makona të virusit ebola.

Një ditë pas ekspozimit, dhjetë majmunë morën pilulën Obeldesivir çdo ditë për dhjetë ditë, ndërsa tre majmunë në grupin e kontrollit nuk morën trajtim dhe ngordhën.

Rezultatet ishin premtuese: 80% e majmunëve cynomolgus dhe 100% e majmunëve rhesus mbijetuan. Majmunët e trajtuar jo vetëm që u pastruan nga virusi në gjak, por gjithashtu zhvilluan një përgjigje imunitare, duke krijuar antitrupa dhe shmangur dëmtimin e organeve.

Hap i madh përpara për trajtimin e ebolës

Geisbert ka shpjeguar se, ndonëse numri i majmunëve të testuar ishte i vogël, fuqia statistikore e studimit ishte e madhe, pasi ata ishin ekspozuar ndaj një doze jashtëzakonisht të lartë të virusit – rreth 30,000 herë më shumë se doza vdekjeprurëse për njerëzit. Kjo metodologji ndihmoi në reduktimin e numrit të kafshëve të sakrifikuara për qëllime kërkimore.

Një nga aspektet më mbresëlënëse të Obeldesivirit është aftësia e tij për të ofruar mbrojtje me spektër të gjerë, në krahasim me trajtimet ekzistuese me antitrupa, të cilat funksionojnë vetëm kundër specieve Zaire të virusit ebola.

“Ky është një avantazh i madh”, ka theksuar Geisbert.

Aktualisht, kompania farmaceutike “Gilead” po avancon Obeldesivirin në fazën e dytë të testimeve klinike për virusin marburg, i përafërt me ebolën.

Geisbert gjithashtu ka theksuar rëndësinë e financimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA, sidomos tash në kohën kur disa grante janë anuluar.

“Të gjitha këto ilaçe dhe vaksina që janë zhvilluar kundër ebolës dhe viruseve të tjera ekzotike – 90% e fondeve vijnë nga qeveria amerikane. Mendoj se publiku i gjerë do të pajtohej që na duhen trajtime për ebolën”, ka thënë ai.