Lifestyle

Kryhet intervenimi historik, veshka e derrit transplantohet te njeriu

Doktorët në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se e kanë kryer me sukses transplantimin e një veshke të derrit te një njeri. Pacienti është Rick Slayman, 62-vjeçar nga Weymouthi i Massachusettsit, që ishte diagnostikuar me sëmundje të shkallës së fundit të veshkës.

Në një komunikatë të spitalit që citon pacientin, Slaymani ka thënë se ka qenë pacient i programit të transplantit të këtij spitali për 11 vjet. S’është transplanti i parë i veshkës që i është bërë atij. Slaymani kishte kryer transplantin nga një tjetër njeri më 2018. Pas këtij transplanti u përball me diabet e presion të lartë të gjakut. Ajo veshkë nisi të dështonte pesë vjet më pas, dhe Slaymani vazhdoi me dializë më 2023.

Kur u diagnostikua me sëmundjen në shkallë të fundit vitin e shkuar, Slaymani ka treguar se doktorët i kishin sugjeruar të provonte një veshkë të derrit.

“E kam parë jo vetëm si të vetmen mundësi për të më ndihmuar, por si mënyrë për ta rikthyer shpresën te mijëra njerëz që kanë nevojë për transplant që të jetojnë”, ka thënë Slaymani.

Dr. Tatsuo Kawai, që është drejtor i Qendrës Legorreta për transplante, dhe kirurgu që ka kryer operimin, ka thënë se organi ishte i madhësisë së njëjtë sa veshka e njeriut. Kur iu vendos veshka e derrit, sipas Kawait, menjëherë nisi të funksiononte dhe të prodhonte urinën. Të gjithë në sallën e operimit kishin shpërthyer në ovacione.

“Ishte veshka më e bukur që kam parë ndonjëherë”, ka thënë Kawai.

Në konferencën për media të enjten, doktorët kanë thënë se Slaymani është duke u rikuperuar mirë dhe pritet të lirohet shpejt nga spitali.

Është hera e tretë që te njeriu transplantohen organe të derrit. Në dy herët e kaluara ishte transplantuar zemra, por pacientët vdiqën pak javë pasi i morën organet e reja. Organi që u mor nga derri, u modifikua nga kompania “eGenesis” për ta bërë më të përshtatshme për njerëzit. Nevoja për organe është në rritje. Çdo ditë në SHBA vdesin 17 njerëz në pritje të organeve. Veshka është më e shpeshta. Në SHBA, më 2023 ishin transplantuar 27 mijë veshka. Sipas ekspertëve, transplanti nga kafshët te njerëzit mund të luajë rol kyç në të ardhmen.