Lifestyle

Rrobaqepësja që dhuron shalle për kokë falas, për të prekurat nga kanceri

Tash e 12 vjet punon në zanatin e rrobaqepësisë. Një pjesë të shtëpisë e ka kthyer në dhomë pune ku e shpreh kreativitetin.

Letra, materialet shumë ngjyrëshe, lapsi e vizoret nuk mungojnë asnjëherë në hapësirën e veçantë të Shpresa Isufit.

Përveç fustaneve solemne, ajo qep me shumë dashuri edhe fustane për vajzat e vogla që ushtrojnë balet, raporton KOHA.

Sipas Shpresës, pas përfundimit të një kreacioni i teprojnë shumë materiale. E duke mos dashur t’i hedhë ato, ajo ua dhuron personave të ndryshëm.

E ky nuk është i vetmi gjest i mirë që ajo e bën përmes materialeve. Së fundmi, Shpresa thotë se punon shalle për kokë e që i dhuron për gratë që u nënshtrohen kimioterapive.

Sipas Shpresës, kjo ide erdhi nga arsimtarja e djalit të saj që po kalonte në këtë fazë.

“Ajo mbante në kokë një shall të tillë. Ajo më tha se vajza mezi e gjeti diku që ta porositë. Unë i bëra asaj një dhe ia dhurova. Pastaj m’u kujtuan gjithë ato gra që kanë nevojë për shall, pasi i humbin flokët nga terapia. Në fund të fundit, ato punohen shumë lehtë dhe nuk marrin shumë material”, tha ajo.

Edona Toplica, menaxhere në organizatën “Care for Kosovo Kids”, tregon më shumë për bashkëpunimin dhe shpërndarjen e shalleve të punuara nga Shpresa.

Në muajin mars, Shpresa thotë se filloi të mbante kurs vullnetarisht për ata persona që ishin të gatshëm t’i mësonin teknikat e qepjes. Megjithatë, për shkak të pandemisë, i është dashur ta ndërpresë përkohësisht punën.