Tash e një kohë, kalon të njëjtën rrugë, për të mbërritur në njërin ndër vendet e saj të preferuara.
E pjesë e kësaj rutine është edhe kafeja e mëngjesit, të cilën ajo e pi me të mbërritur në atelie.
Është kjo Jora Slishani, njëra ndër kreatoret më të reja në Prishtinë, që përveç fustaneve, fundeve e bluzave, së fundmi ka filluar të krijojë edhe aksesorë për flokë, raporton emisioni SOT në KTV.
Ndryshe nga kreatoret e tjera, ajo thotë se më herët nuk e kishte idenë që një ditë do të mund të hapte një atelie të tillë.
Përherë pas vetes, thotë se ka lapsin e fletën për të shpalosur idetë, në rast inspirimi.
E atë Jora thotë se e gjen në natyrë, udhëtime madje edhe në njerëz.
Metri, makina e qepjes, hekurori, materialet e mëndafshit e shumë të tjera, të kombinuara me ngjyra të ndezura e kontraste, janë tashmë pjesë e kreacioneve të saj.
Sipas Jorës, me këto veshje ajo po mundohet të sjellë diçka të re. Por, më e rëndësishmja në këtë proces ajo thotë së është kombinimi i materialeve të cilat i siguron në Kosovë.
Punën e bërë ajo kujdeset që ta ekspozojë në llogaritë e saj në rrjete sociale, konkretisht në instagram.
Prej këtu, ajo thotë se ka arritur që të fitojë klientë të rinj.