Simbolet tradicionale jo rrallë herë përdoren nga disenjatorë e marka të njohura botërore, si detaje të koleksioneve të tyre.
Dëshira për të pasur një veshje me motive kombëtare, çdoherë e më shumë po shtohet ndër popuj.
Si shumë histori stilistësh, gjithmonë ekziston një ngacmim i jashtëm që zgjon dëshirën, pasionin për të krijuar diçka unike, në atë çfarë bën dhe në atë që të dallon nga të tjerët, raporton Express i KTV-së.
Festat kombëtare apo edhe ngjarjet që lidhen me vendin, bëjnë që prodhuesit e tekstilit të ofrojnë veshje me simbole dhe motive kombëtare.
Dyqani i njohur në qendër të Prishtinës “Buzë Mustaqe” me bashkëpronar Afrim Islamin, që ofron një gamë të gjerë të veshjeve të brendeve të njohura botërore, ka lansuar disa produkte të reja duke i shtuar stilit të veshjeve, elemente me simbole shtetërore dhe kombëtare.
Ky lansim i këtyre produkteve, erdhi pikërisht me rastin e dy ndeshjeve të mëdha të Kombëtares së Kosovës, që u bënë inspirim për kreacionet e para.
Një përkushtim i madh është dashur për t’i realizuar të gjitha kreacionet, që nga modeli, ngjyrat, detajet e deri te materiali. Kreacionet u dedikohen të dy gjinive.
Ngjyrat e flamurit të Kosovës të gërshetuara me simbolet kombëtare, janë përdorur në xhaketat e sezonit vjeshtë/dimër.
“Buzë Mustaqe” është munduar që kreacionet e para të prodhuara, të jenë në përputhshmëri me cilësinë që përmbajnë produktet botërore.
Për fillim janë realizuar vetëm disa nga këto xhaketa, derisa për të gjithë të interesuarit ato tashmë mund të blihen edhe me porosi. Në përputhje me strategjinë ndërkombëtare të rritjes, “Buzë Mustaqe” parashikon që produktet me motive kombëtare dhe shtetërore, të prodhohen në vazhdimësi dhe të shiten edhe në vende të tjera, duke përçuar kështu mesazh apo për të shoqëruar një ngjarje.