Lifestyle

Kirurgjia inovative ndihmon pacientët me pasoja afatgjata të Covid-19 të rifitojnë nuhatjen dhe shijen

Covid 19

Covid-19

Foto: Associated Press

Mjekët në Londër kanë përdorur një teknikë të re kirurgjikale për të rikthyer shqisën e nuhatjes dhe shijes te pacientët që i kishin humbur ato për shkak të Covidit dhe pasojave afatgjata të tij. Kjo metodë, e quajtur septorinoplastikë funksionale (fSRP), zgjeron rrugët e hundës dhe ndihmon në rikuperimin e shqisave të humbura, ka raportuar The Guardian.

Ndërsa shumica e pacientëve me Covid-19 shërohen plotësisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se 6% e të infektuarve kanë pasoja afatgjata, një gjendje që prek miliona njerëz në mabrë botën. Humbja e nuhatjes dhe shijes është ndër mbi 200 simptoma që lidhen me këtë sindromë.

Në Universitetin e Kolegjit të Londrës (UCLH), një grup kirurgësh ka kryer me sukses operacionin fSRP te 12 pacientë që kishin humbur nuhatjen për më shumë se dy vjet dhe nuk kishin përfituar nga trajtimet e tjera, si stërvitja e shqisës së nuhatjes apo kortikosteroidet.

Si funksionon kirurgjia?

Septorinoplastika funksionale është një teknikë që zakonisht përdoret për të korrigjuar devijimin e septumit të hundës dhe për të rritur rrjedhën e ajrit nëpër hundë.

Ky operacion ndihmon në shtimin e rrjedhës së ajrit deri në 30% në rajonin olfaktiv, pjesën e sipërme të zgavrës së hundës, ku ndodhet shqisa e nuhatjes. Kjo lejon që më shumë odorantë (përbërje kimike me aromë) të arrijnë këtë zonë, duke “rikthyer në jetë” qelizat olfaktive.

“Ky operacion ‘zgjon’ mukozën olfaktive, duke e ndihmuar pacientin të rikuperojë shqisën e nuhatjes dhe, rrjedhimisht, edhe atë të shijes”, ka thënë profesori Peter Andrews, kirurg i specializuar në rinologji dhe kirurgji plastike, i cili drejtoi studimin.

Në studimin e publikuar në revistën Facial Plastic Surgery, kirurgët kanë krahasuar 12 pacientë të operuar me një grup prej 13 pacientësh, të cilët vazhduan trajtimin me stërvitje të nuhatjes dhe nuk e kryen operacionin në fjalë (duke nuhatur erë të njëjtë disa herë radhazi).

-Të gjithë pacientët që iu nënshtruan operacionit raportuan përmirësim të ndjeshëm të shqisës së nuhatjes dhe shijes.

-Në grupin e 13 pacientëve që nuk u operuan, asnjë pacient nuk pati përmirësim, madje 40% prej tyre raportuan përkeqësim.

Një nga pacientet, Penelope Newman, 27 vjeçe, ka thënë se pas operacionit shqisat e saj ishin rikthyer pothuajse në normalitet.

“Para operacionit, kisha pranuar idenë se nuk do të mund të nuhasja ose shijoja më kurrë si më parë. Tani mund të shijoj ushqimin si më parë, të gatuaj me hudhër dhe qepë dhe të dal për të ngrënë me familjen dhe miqtë”, ka thënë ajo.