Lifestyle

Infeksionet nga streptokoku A po rriten në SHBA: Ja çfarë duhet ditur

Streptokoku

Foto: Associated Press

Infeksionet nga bakteri i njohur, si streptokoku i grupit A (ose shkurt “Streptokoku A”), janë më së shumti të njohura për shkaktimin e angjinës së fytit, por në raste më të rënda ato mund të çojnë në infeksione të rrezikshme, përfshirë edhe ato që shkatërrojnë indet, të ashtuquajturat infeksione që “hanë mishin”, ka shkruar TIMES.

Sipas një studimi të ri, të publikuar ditë më parë në revistën JAMA, nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rastet e infeksioneve invazive nga streptokoku A janë në rritje në SHBA. Është analizuar periudha nga viti 2013 deri më 2022. Studimi gjithashtu paralajmëron se disa lloje të baktereve po bëhen rezistente ndaj antibiotikëve të zakonshëm.

Çfarë është streptokoku A?

Ky bakter mund të shkaktojë sëmundje që variojnë nga angjina e zakonshme e fytit, deri te sepsa, sindromi i shokut toksik, dhe nekrozë fasciiti (e njohur si “bakteri që ha mishin”). Infeksionet bëhen “invazive” kur bakteret largohen nga gryka dhe hyjnë në zona më të ndieshme të trupit, si gjaku apo mushkëritë.

Pse po rriten këto infeksione?

Sipas doktorit William Schaffner nga Universiteti Vanderbilt, kjo rritje mund të lidhet me dy faktorë kryesorë:

Ndryshimet te vetë bakteret, që mund t’i bëjnë ato më të rrezikshme. Kjo ende po hetohet.

Më të prekurit, janë: të moshuarit, përdoruesit e drogës intravenoze dhe të pastrehët. Këta persona shpesh kanë sistem imunitar më të dobët dhe janë më të prirë ndaj plagëve në lëkurë, një nga hyrjet kryesore për bakteret në trup.
Gjithashtu, sëmundjet kronike si diabeti dhe problemet me zemrën, rrisin dukshëm rrezikun që një infeksion i zakonshëm nga streptokoku të kthehet në një formë invazive.

A mund të shkaktojë streptokoku A infeksione që “hanë mishin”?

Po. Nekrozë fasciiti është një formë shumë e rrezikshme e infeksionit, ku bakteret shkatërrojnë indin nënlëkuror. Këto infeksione ndodhin më shpesh kur bakteret futen në trup përmes plagëve të hapura, shpesh pas ekspozimit në ujëra të ndotura, si liqenet apo deti.

A ekziston vaksinë për streptokokun A?

Jo ende. Kërkimet për një vaksinë janë në zhvillim prej dekadash, por sfidat janë të shumta. Sepse lloje të ndryshme të bakterit qarkullojnë në kohë të ndryshme. Është vështirë të krijohet një vaksinë që i mbron të gjithë.

Si trajtohen infeksionet?

Antibiotikët janë trajtimi kryesor. Penicilina, një nga antibiotikët më të vjetër, ende funksionon mirë kundër streptokokut A. Megjithatë, rezistenca ndaj disa antibiotikëve shtesë, si klindamicina dhe makrolidet, ka treguar se është në rritje, nga 12.7% në 33.1%, gjatë periudhës së studimit.

Si të mbroheni?

Lani duart rregullisht

Mbuloni dhe dezinfektoni plagët

Shmangni larjen në ujëra të ndotura nëse keni prerje në lëkurë

Mos merrni antibiotikë pa nevojë

A mund të testoheni për streptokokun A?

Po, përmes një strishoje të fytit, që mund të dërgohet për kulturë ose të testohet me metoda të shpejta të analizave. Megjithatë, këto të fundit mund të japin edhe rezultate të rreme negative. Ndaj mjekët rekomandojnë testime vetëm kur simptomat e pacientit janë të qarta për një infeksion me streptokok, si: temperaturë, dhembje të forta fyti, nyje limfatike të fryra, prani qelbi në bajame.