Lifestyle

Ilaçet për diabet dhe ndikimi i tyre në shëndetin e përgjithshëm

GLP-1 Semaglutide

GLP-1 Semaglutide

Foto: Associated Press

Medikamentet për menaxhimin e nivelit të sheqerit në gjak, si semaglutide apo GLP-1, të cilat përdoren nga diabetikët, po studiohen gjithnjë e më shumë për efektet negative e pozitive që mund të kenë, sidomos pas përdorimit të tyre në një periudhë më të gjatë dhe për arsye të tjera pos trajtimit të diabetit të tipit 2.

Ilaçet si “Ozempic”, “Wegovy”, “Mounjaro” dhe “Zepbound” kohët e fundit janë përdorur nga shumë persona për të humbur peshë.

“Medical News Today” ka shkruar se në një studim të botuar në muajin tetor të vitit 2023 u vu re se përdorimi i këtyre ilaçeve për humbje peshe ishte i lidhur me rritje të rrezikut për sëmundjen e pankreasit, gastroparezë dhe bllokim të zorrëve. 

Megjithatë, hulumtimet më të fundit sugjerojnë se ato mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe çrregullimeve të kujtesës, si dhe ofrojnë disa përfitime të tjera për shëndetin.
Studimi i ri, i publikuar në “Nature Medicine”, ka zbuluar se ilaçi GLP-1 mund të sjellë përfitime për shëndetin mendor, duke përfshirë uljen e rrezikut të demencës dhe varësisë.

Rreziku nga sëmundjet e stomakut dhe problemet me veshka

Nga ana tjetër, studiuesit zbuluan se përdorimi i ilaçit GLP-1 mund të çojë në një rrezik të rritur për probleme gastrointestinale, përfshirë të përziera, vjellje, diarre dhe, në raste të rralla, paralizë të stomakut. 

Po ashtu, këto ilaçe mund të jenë të lidhura me rrezik më të madh për çrregullime artritike, sëmundje të pankreasit, probleme të gjumit, hipotension dhe gurë në veshka.

“Këto efekte anësore janë të rëndësishme dhe duhet të jenë të njohura nga ata që i përdorin dhe mjekët që i përshkruajnë”, ka theksuar Ziyad Al-Aly, një nga autorët e studimit të botuar në “Nature Medicine”.

Përfitimet e GLP-1 për shëndetin mendor

Në këtë studim, që analizoi të dhënat mjekësore të më shumë se 2 milionë pacientëve, hulumtuesit zbuluan se përdorimi i ilaçeve GLP-1 ishte i lidhur me përfitime për shëndetin neurologjik. 

Ata që përdornin këto ilaçe kishin rrezik më të ulët për varësi nga alkooli, kanabisi, opioidet dhe stimulatorët, krahasuar me ata që përdornin ilaçe tradicionale për diabetin. 

Po ashtu, përdorimi i këtyre ilaçeve ishte i lidhur me rrezik më të ulët për goditje në tru, mendime për vetëvrasje, dëme të vetëshkaktuara, bulimi dhe çrregullime psikologjike si skizofrenia.

“GLP-1 ul inflamacionin në tru dhe ndikon në qendrat që janë përgjegjëse për kontrollin e impulseve. Kjo mund të jetë një nga mekanizmat që ndihmojnë në trajtimin e kushteve neuropsikiatrike”, ka thënë Ziyad Al-Aly, një nga autorët kryesorë të studimit.

Përfitimet nga përdorimi i GLP-1

Doktori Babak Firoozi, gastroenterolog, u shpreh pozitivisht për përfitimet e këtyre ilaçeve.
“Jam i inkurajuar nga ndikimi pozitiv që kanë këto medikamente, veçanërisht në uljen e rrezikut të rënies së kujtesës. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se përfitimet e këtyre ilaçeve shkojnë përtej humbjes së peshës dhe kontrollit të diabetit”, ka thënë ai.

Kirurgu Seth Kepnis ka thënë se disa njerëz që kanë pasur problem me mbipeshë, kur kanë përdorur ilaçet për humbje peshe dhe kanë arritur rezultatet e dëshiruara, mund t’i ndihmojnë në rritje të disponimit.

“Studimi konfirmon atë që po shohim klinikisht. Njerëzit që humbin peshë ndihen më të lumtur dhe të fuqizuar. Përdorimi i këtyre ilaçeve ka potencialin ta ulë përdorimin e ilaçeve të tjera që përdoren për trajtimin e kushteve që lidhen me obezitetin”, ka thënë Kipnis.