Ekspertët paralajmërojnë për një lloj të shpeshtë, por të panjohur të demencës, i cili po bëhet shpesh shkak për diagnostikim të gabuar
Ndërsa sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës, që prek rreth 6.7 milionë amerikanë, Fox News ka shkruar se nuk është çudi që personat që përjetojnë humbje të kujtesës mund të dyshojnë se e kanë këtë sëmundje.
Megjithatë, ekziston një tjetër çrregullim kognitiv i zakonshëm me simptoma shumë të ngjashme, i quajtur limbic-predominant age-related TDP-43 encephalopathy , ose shkurt LATE, i cili shpesh ngatërrohet me Alzheimerin.
Një raport i fundit i botuar në gazetën Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer's Association ka theksuar nevojën për të zhvilluar “kriteret objektive” për diagnostikimin dhe fazat e të gjitha llojeve të demencës, përfshirë LATE-n.
Sipas raportit, kjo lloj demence është e pranishme më shumë në moshat e shtyra dhe mund të kontribuojë në humbjen e kujtesës dhe humbjen e aftësive mendore.
“Propozimi i kritereve të reja ka për qëllim t'i ndihmojë mjekët të bëjnë më mirë dallimin midis LATE-së dhe Alzheimerit, që të çojnë në diagnostikime më të sakta dhe strategji të përmirësuara për trajtim”, ka thënë për Fox News Rebecca M. Edelmayer, nënkryetare në Shoqatën e Alzheimerit.
Sipas autorit kryesor të studimit, David Wolk, profesor i neurologjisë në Universitetin e Pensilvanisë, LATE-ja ka një ritëm më të ngadaltë të përkeqësimit se sa Alzheimeri.
“LATE-ja ndodh bashkë me Alzheimerin në rreth një të tretën e rasteve dhe duket se përshpejton zhvillimin e sëmundjes”, ka thënë ai.
Studiuesit kanë gjetur se mbi 25% e njerëzve mbi 80 vjeç kanë këtë formë demence.
Wolk ka theksuar se pavarësisht se sa e zakonshme është kjo gjendje, shumica e mjekëve dhe pacientëve nuk kanë dëgjuar për LATE-në dhe nuk e konsiderojnë si mundësi kur humbja e kujtesës është e pranishme.
Para kritereve të reja të raportuara, nuk ka pasur një konsensus të qartë mbi mënyrën e diagnostikimit të kësaj gjendjeje.
“Kjo mund të diagnostikohej vetëm pas vdekjes, gjatë autopsisë”, ka bërë të ditur Wolk.
Ndërsa ekziston një test diagnostikues për të matur Alzheimerin, nuk ka një test të tillë për LATE-në.
“Kriteret ofrojnë nivele të mundësisë për diagnozën, por nuk mund të jenë përfundimtare. Po ashtu, kriteret kanë nevojë për verifikim në praktikë”, ka thënë Wolk për Fox News.
Edelmayer ka cekur se në të ardhmen, shpreson që përparimet mjekësore do t’u ndihmojnë mjekëve t'i dallojnë të gjitha llojet e demencës.
"Deri në momentin kur këto mjete të jenë të disponueshme, kriteret klinike për diagnozën, si ato që sapo publikuan, mund të përdoren për të mbështetur një qasje më të personalizuar në trajtim, kujdes dhe përfshirje në studime klinike”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë po ashtu, se këto rekomandime të reja hapin rrugë për studime të mëtejshme dhe mund jenë shpresë për sfidat që ende ekzistojnë për diagnostikim të saktë të individëve me LATE.