Lifestyle

Gjashtë zakone që mund të duken jo të dëmshme, por mund të rrisin rrezikun për demencë

Demenca

Demenca

Demenca është humbja e kujtesës, gjuhës, aftësisë për të zgjidhur probleme dhe aftësive të tjera që kërkojnë mendim. 

Ajo zakonisht prek individët mbi moshën 65 vjeç. 

Kjo sëmundje është e rëndë dhe ata që vuajnë nga demenca shpesh kanë nevojë për kujdes shtesë.

Cilat janë shkaqet e demencës?

Mosha, historia familjare, raca dhe etnia, shëndeti i zemrës dhe ndonjë dëmtimi traumatik i trurit janë disa nga faktorët që mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e saj.

Por një tjetër ndikim i madh janë zakonet e jetës së përditshme. Ani pse nuk mund të kontrollohet gjenetika, ka disa zakone që mund të duken të padëmshme por që mund të rrisin rrezikun nga demenca.

HuffPost, ka shkruar për disa nga ato më të zakonshmet:

1. Mungesa e lëvizjes ose qëndrimi ulur për një kohë të gjatë

Ushtrimet, veçanërisht ushtrimet aerobike, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut nga humbja e aftësive mendore dhe rrezikut për demencë. Ushtrimet e rregullta kanë ndikim pozitiv në trurin e njeriut dhe shëndetin në përgjithësi, veçanërisht te personat mbi moshën 60-vjeçare.

“Truri mund të pësojë dëme nga mosaktiviteti. Pavarësisht se si janë muskujt e tjerë, mbani mend se aftësitë humben kur nuk përdoren”, ka thënë psikologia  Blair Steel.

2. Mungesa e socializimit

Jeta sociale ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e demecës. Një jetë aktive dhe e integruar socialisht mund të ofrojë mbrojtje kundër kësaj sëmundjeje. Megjithatë, në epokën e mediave sociale, socializimi ka marrë një kuptim më të gjerë.

“Ne kalojmë shumë orë në media sociale, por kjo nuk e stimulon lidhjen e trurit në të njëjtën mënyrë si socializimi personal”, ka shpjeguar Steel.

Shëndeti i dobët social mund të çojë në rritje të hormoneve të stresit si kortizoli, që mund të ndikojë negativisht në tru dhe të rritë tensionin e gjakut.

3. Gjumi i pamjaftueshëm

Problemet me gjumin dhe demenca janë dy shqetësime të zakonshme dhe të rëndësishme për shëndetin te të rriturit e moshuar. Ndërsa gjithmonë ka diçka që mund të pengojë gjumin e rregullt, si angazhimet familjare, puna ose qëndrimi deri vonë përpara ekraneve, mungesa e gjumit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës.

“Shmangni ekranet dhe dritën pas një orë të caktuar dhe përpiquni të mos përdorni telefonin tuaj nëse gjumi u është ndërprerë”, ka sugjeruar Steel.

4. Stresi kronik

Stresi është i lidhur me demencën sepse kur njerëzit janë të stresuar dhe kur lirohet kortizoli, mund të krijohen probleme me kujtesën. Efektet negative të stresit, veçanërisht stresit kronik, mund të çojnë në rënien e aftësive mendore për shkak të niveleve të larta të kortizolit, një hormon që luan një rol të rëndësishëm në reagimin ndaj stresit.

Steel ka theksuar se reduktimi i stresit përmes zakoneve të shëndetshme si ushtrimet, aktivitetet krijuese dhe kalimi i kohës me të dashurit mund të jetë çelësi për të ulur këtë rrezik.

5. Përdorimi i tepërt i alkoolit

Sipas Shoqatës së Alzheimerit, ka një lloj demence të lidhur me alkoolin, e njohur si dëmtimi i trurit i shkaktuar nga alkooli (ARBD). Ky lloj dëmtimi ka të bëjë me dëmtimin e trurit që shkaktohet nga konsumimi i tepërt i alkoolit për shumë vjet.

Në këtë formë të demencës, individët mund të kenë probleme me kujdesin e detyrave të përditshme si gatimi i ushqimit, kujtimi i informacioneve ose menaxhimi i financave.

6. Dieta e pabalancuar

Studimet kanë treguar se dieta me ushqime të përpunuara mund të rrisë rrezikun nga demenca.
Për të mbajtur trurin tuaj të shëndetshëm, është e rëndësishme të konsumohen ushqime të shëndetshme si perime jeshile, fruta, drithëra të plota, fasule, arra, peshk dhe yndyra të shëndetshme si vaji i ullirit. Gjithashtu, është e rëndësishme të kufizohet konsumimi i mishit të kuq, ëmbëlsirave, djathit, gjalpit dhe ushqimeve të shpejta.

Rreziku nga sëmundja e demencës mund të ulet duke i përmirësuar zakonet e përditshmërisë.

“Nëse ju ose dikush që njihni ka simptoma të demencës, është e rëndësishme të flisni me një mjek dhe të bëni një vlerësim”, ka këshilluar Steel.