Studimet kanë treguar se ka lidhje të ngushtë mes shëndetit të zorrëve dhe shëndetit mendor. Ajo që njerëzit hanë ndikon në mënyrën se si mendojnë dhe ndihen, dhe së fundmi, një studim i ri ka sugjeruar se kjo lidhje mund të luajë rol të rëndësishëm edhe në rrezikun e depresionit, ka raportuar “Women’s Health”.
Një studim i publikuar në revistën “BMC Microbiome” ka gjetur se konsumimi i frutave të familjes së agrumeve apo citroneve mund ta ulë rrezikun e depresionit për rreth 20 për qind. Kjo lidhje nuk u gjet te frutat ose perimet e tjera, por ishte specifike për agrumet si portokalli dhe grejpfruti.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se depresioni është një gjendje komplekse në të cilën ndikojnë shumë faktorë.
“Nuk mund të themi se ngrënia e një portokalli do të ndryshojë menjëherë shëndetin tuaj mendor”, kanë deklaruar studiuesit, por ky zbulim mund të ndihmojë në parandalimin e tij.
Çfarë tregoi studimi?
Studiuesit analizuan të dhënat e 32,500 grave pjesëmarrëse në studimin “Nurses' Health Study 2”, si dhe mbi 300 burra. Studimi kryhet nga ekspertë të shkollës publike të Harvardit.
Ata gjetën se njerëzit që konsumonin agrume çdo ditë kishin më shumë baktere Faecalibacterium prausnitzii (F. prausnitzii) në zorrët e tyre – bakter që ndihmon në reduktimin e inflamacionit dhe që u zbulua të jetë më i pranishëm tek ata që nuk vuanin nga depresioni.
“Ky studim thekson rëndësinë e dietës në parandalimin e depresionit dhe ofron një shpjegim të mundshëm për mënyrën se si mikrobioma e zorrëve ndikon në shëndetin mendor”, shkruajnë studiuesit.
Si ndikon mikrobioma e zorrëve në shëndetin mendor?
Bakteret në sistemin tretës luajnë rol të rëndësishëm në prodhimin e neurotransmetuesve si serotonina dhe dopamina, që ndikojnë në humor.
“Disa baktere, si F. prausnitzii, janë thelbësorë për komunikimin mes zorrëve dhe trurit”, ka thënë dietologu Scott Keatley.
Ai shpjegon se ky bakter ndihmon në uljen e inflamacionit në organizëm – faktor kyç i lidhur me depresionin.
Psikologia Thea Gallagher ka shtuar se dihet që ekziston një lidhje midis shëndetit të zorrëve dhe depresionit, por “ende po studiohen mekanizmat e saktë të kësaj lidhjeje”.
Sa agrume duhen konsumuar për të parë përfitimet?
Studimi ka treguar se një portokall mesatar në ditë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të depresionit. Përfitimet ishin të pranishme edhe te frutat e tjera agrume, si grejpfruti, ndaj edhe ato mund të jenë një zgjedhje e mirë.
Pse agrumet janë kaq të veçanta?
“Agrumet janë të pasura me flavonoide si naringenina dhe formononetina, të cilat mbështesin rritjen e baktereve të dobishme dhe mund të ndihmojnë në rritjen e nivelit të serotoninës dhe dopaminës në trup”, ka shpjeguar Keatley.
Megjithatë, studimi nuk dëshmon se agrumet e ulin drejtpërdrejt depresionin – ai vetëm vë në dukje lidhjen mes konsumimit të tyre dhe rrezikut më të ulët të depresionit. Përveç flavonoideve, agrumet përmbajnë edhe vitaminë C, e cila mund të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv.
A ka ushqime të tjera që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të depresionit?
Ekspertët thonë se ngrënia e një diete të shëndetshme është thelbësore për shëndetin mendor.
Sipas psikologes Gail Saltz, studimet tregojnë se një dietë e pasur me ushqime të ultra-përpunuara lidhet me një rrezik më të lartë të depresionit, ndërsa ushqimet e plota dhe të papërpunuara ndihmojnë në mbështetjen e shëndetit të trurit.
Gallagher rekomandon dietë të pasur me perime, drithëra të plota dhe ushqime natyrale, ndërsa Keatley sugjeron edhe ushqime të fermentuara si kos, kimchi dhe kefir, të cilat përmbajnë probiotikë që mbështesin komunikimin midis zorrëve dhe trurit. Gjithashtu, arrat, farat dhe peshku i yndyrshëm janë të pasura me omega-3, të cilat ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe mbështesin shëndetin mendor.
A mund të zëvendësojnë agrumet ilaçet antidepresive?
Jo, ky studim fokusohet në parandalimin e depresionit, ndërsa ilaçet përdoren për trajtim.
“Mos ndaloni marrjen e ilaçeve tuaja dhe të filloni të hani portokalle”, ka theksuar Gallagher.
Saltz pajtohet, duke thënë: “Ky studim nuk sugjeron se agrumet mund të trajtojnë depresionin e rëndë klinik”.
Megjithatë, Gallagher e quan këtë zbulim të rëndësishëm për shëndetin mendor, pasi shtimi i agrumeve në dietë është diçka e lehtë për shumicën e njerëzve.