Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, multivitaminat, një kombinim i vitaminave dhe mineraleve që zakonisht merren një herë në ditë, konsumohen nga afërsisht një në tre amerikanë. Ndërsa njerëzit i konsumojnë ato për një sërë arsyesh, kryesorja është marrja e lëndëve ushqyese të domosdoshme dhe sasia e rekomanduar e vitaminave dhe mineraleve që nuk i marrin nga ushqimi.
Cili është efekti kryesor i një multivitamine?
Ekzistojnë hulumtime që mbështesin forma të veçanta të vitaminave dhe mineraleve me doza të larta, si një mënyrë për të mbajtur larg sëmundje specifike kronike dhe çështje të tjera shëndetësore. Për shembull, një studim tregon se konsumimi i multivitaminave mund ta ngadalësojnë humbjen e shikimit te disa njerëz që vuajnë nga degjenerimi makular i lidhur me moshën, ndërsa të tjerët tregojnë se mund ta zvogëlojë rrezikun e kancerit. Megjithatë, ekspertët shëndetësorë theksojnë se studimet nuk janë përfundimtare, kryesisht për shkak të faktit se multivitaminat ndryshojnë në përbërje dhe disponueshmëri. Ekzistojnë gjithashtu prova që njerëzit me dieta dhe stil jetese më të shëndetshëm, kanë më shumë gjasa të marrin suplemente dietike, duke e bërë të paqartë nëse përfitimet vijnë nga vetë multivitaminat apo nga stili i shëndetshëm jetësor.
A duhet të merrni multivitaminë?
Mënyra më e mirë për t’i marrë vitaminat dhe mineralet e rekomanduara është nëpërmjet një diete të shëndetshme. Megjithatë, ata që nuk marrin mjaftueshëm, ndoshta për shkak të një gjendjeje mjekësore, diete me kalori të ulët, janë në një dietë të kufizuar ose gratë që janë shtatzëna ose ushqejnë me gji, mund të përfitojnë nga konsumimi i multivitaminave.
A ka ndonjë rrezik nga marrja e multivitaminave?
Ka shumë pak rreziqe shëndetësore nga marrja e një multivitamine. Megjithatë, nëse merret kur nuk nevojitet, mund të rezultojë në rritjen e nivelit të ndonjë vitamine ose minerali në organizëm. Për shembull, nëse një grua shtatzënë merr shumë vitaminë A, rreziku i defektit të lindjes rritet dhe duhanpirësit që marrin shumë beta-karotinë dhe vitaminë A, janë në një rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit të mushkërive.
Çfarë lloji të multivitaminës duhet marrë?
Para se të merrni një multivitaminë, konsultohuni me mjekun. Ka medikamente të caktuara që mund të ndërveprojnë me vitamina dhe minerale specifike, përkatësisht medikamente për koagulimin e gjakut. Ekzistojnë gjithashtu multivitamina specifike për moshën, gjininë dhe faktorë të tjerë, përfshirë shtatzëninë.