"Tratmani Vampir"

Dokumentohen rastet e para të bartjes së virusit HIV me anë të gjilpërave kozmetike

Dokumentohet për herë të parë transmetimi i virusit HIV përmes gjilpërave që përdoren për tretmanin "vampir" të fytyrës

Foto: Associated Press

Tri gra, të cilat u diagnostikuan me virusin HIV pasi morën një trajtim për kujdesin e fytyrës që quhet “Trajtimi vampir” në një banjë të palicencuar në New Mexico, SHBA, besohet të jenë rastet e para të identifikuara që u infektuan me virusin HIV përmes gjilpërave kozmetike, raporton agjencia "AP".

Në raportin e javës së kaluar për sëmundjet dhe vdekjet, që bëri Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), thuhet se studimi që u bë në këtë klinikë nga viti 2018 deri në 2023 tregon se aty janë përdorur mjete të pasterilizuara, të cilat janë të parapara të jenë vetëm njëpërdorimëshe.

Ani pse dihet se bartja e virusit HIV nga gjilpërat e pasterilizuara është rrezik i njohur, në raport thuhet se ky është dokumentimi i parë i infektimit përmes gjilpërave që përdoren për shërbime estetike.

Shumë procedua kozmetike përfshijnë përdorimin e gjilpërave, trajtimet me botoks, të cilat kanë për qëllim reduktimin e rrudhave, si dhe mbushësit e ndryshëm, që përdoren për mbushjen e buzëve.

“Trajtimi vampir” funksionon duke marrë gjakun e vet pacientit e duke ndarë pastaj vetëm plazmën, e cila riinjektohet te pacienti përmes mikrogjilpërave. Si rezultat i kësaj procedure, lëkura duket më e re dhe me më shumë shkëlqim.

Gjilpërat duhen edhe për tatuazhe në trup.

Departamenti për Investigimin e Çështjeve Shëndetësore në New Mexico ka filluar hetimin në banjën e palicencuar gjatë verës së vitit 2018, pasi një grua 40 vjeçe që mori “trajtimin vampir” rezultoi pozitive me virusin HIV, ani pse e dinte që s’ka rrezikshmëri. Ajo ka treguar se trajtimin me gjilpëra e ka bërë gjatë pranverës së atij viti.

Banja u mbyll në vitin 2018, pas fillimit të hetimeve, dhe pronari është ndjekur penalisht për praktikimin e procedurave kuruese pa pasur licencë.

Raporti tregon se sa me rëndësi është të kërkohet praktikimi i kontrolleve te bizneset që ofrojnë procedura kozmetike ku përfshihen gjilpërat.

Gjithashtu ceket se hetimi ishte i ngadaltë për shkak se kjo banjë nuk ka mbajtur shumë shënime rreth klientëve apo pacientëve duke bërë të ditur se personeli i këtyre shërbimeve duhet të mbante shënime të detajuara e të mirëfillta për çdo klient, i cili ndoshta duhet të kontaktohej më vonë.