Lifestyle

Disponimi i mirë mund të ndikojë në vaksinën e gripit

Një studim i ri e ka gjetur një lidhje në mes të të qenit në disponim pozitiv kur jeni duke e marrë vaksinën e gripit dhe efektit mbrojtës të vaksinës.

Është ky një zbulim kurioz, dhe këto rezultate befasuese mund t’i ndihmojnë vërtet studiuesit të cilët po kërkojnë mënyra të reja për ta rritur efikasitetin e vaksinës se gripit sezonal.

Sigurisht e keni vërejtur se vaksina vjetore e gripit nuk është 100 për qind efektive - jo vetëm për shkak të dallimeve në variacionet e viruseve që na sulmojnë, por edhe në bazë të personit që e merr vaksinën dhe nëse ai zhvillon reagim të fortë mbrojtës imunitar, transmeton Koha.net.

Hulumtuesit nga Universiteti i Nottinghamit në Britani të Madhe u nisën të vlerësojnë se si një sërë faktorësh të njohur të sjelljes dhe psikologjisë mund të kenë ndikim në reagimin imunitar ndaj marrjes së vaksinës së gripit.

“Sjelljet e pacientëve dhe mirëqenia psikologjike mund të ndikojnë në reagimet imunitare ndaj vaksinimit”, shkruajnë ata në studim.

Gjumi, stresi, aktiviteti fizik, gjendja shpirtërore, madje edhe ushqimi mund të shërbejnë si 'modulatorë imunitarë', duke i nxitur hulumtuesit të shikojnë nëse këto mund të shënjestrohen për ta përmirësuar efektivitetin e vaksinës.

Por ne dimë pak për rëndësinë relative të këtyre faktorëve, dhe deri më tani, asnjë hulumtim nuk i ka shikuar ato njëkohësisht.

Duke e ditur se të rriturit e moshuar janë veçanërisht të prekur nga gripi dhe, gjithashtu, kanë norma më të këqija të zhvillimit të imunitetit pas marrjes së vaksinës, ekipi i ka rekrutuar 138 të rritur të moshës 65-85 vjeç që e kanë marrë vaksinën e gripit gjatë viteve 2014/15 dhe, gjithashtu, një në vitin paraprak.

Mbledhja e të dhënave filloi dy javë përpara goditjes së gripit, me një analizë të gjakut para vaksinimit për t’i kontrolluar nivelet e antitrupave, dhe ditarët e standardizuar që e përshkruajnë ushqimin dhe pijet, aktivitetin fizik, ndikimin pozitiv, ndikimin negativ, stresin dhe gjumin për secilin pjesëmarrës.

Në ditën e goditjes së gripit pjesëmarrësit gjithashtu e plotësuan një pyetësor për ta kontrolluar disponimin pozitiv dhe negativ.

Pastaj, për katër javët e ardhshme pas vaksinimit, pjesëmarrësit vazhduan t’i regjistrojnë të dhënat e tyre të ditarit dhe ta japin një mostër tjetër të gjakut në javën e katërt, duke e përfunduar me një mostër tjetër të gjakut në javën e 16-të.

Pasi që të gjitha të dhënat u mblodhën, ekipi e përpiloi informacionin dhe zbuloi se vetëm një nga të gjithë faktorët që e shikonin ishte parashikues për nivelet më të larta të antitrupave të gripit në mostrat e gjakut.

“Zbuluam se sa më i madh ishte disponimi pozitiv, qoftë i matur në mënyrë të përsëritur gjatë një periudhe 6-javore rreth vaksinimit, ose në ditën e vaksinimit, ai parashikonte në mënyrë të konsiderueshme reagime më të mëdha të antitrupave ndaj vaksinimit të gripit”, shkruajnë ata në studim.

Studiuesit vunë në dukje se kjo gjetje është në të vërtetë në përputhje me hulumtimet e mëparshme që tregojnë se disponimi pozitiv mund të veprojë si një 'modulator imunitar' për vaksinat.

Efekti dukej të jetë veçanërisht i fortë në ditën e vetë vaksinimit, duke e ngritur pyetjen interesante se nëse jeni të lumtur kur e merrni vaksinën mund t’i rritë shanset tuaja për ta zhvilluar një reagim më të fortë mbrojtës.

Përsa i përket asaj se pse mund të ndodhë kjo, ekipi spekulon se mund të ketë një lidhje midis disponimeve pozitive dhe mënyrave të jetesës më të shëndetshme, dhe gjithashtu një rrugë biologjike që e lidh sistemin imunitar dhe mekanizmat e trurit që i rregullojnë disponimet tona.

Këto rezultate paraqesin një pasqyrë magjepsëse për punën e çuditshme të imunizimit, edhe nëse e marrim parasysh madhësinë relativisht të vogël të mostrës dhe faktin se ky ishte një studim prospektiv observues - kështu që është e ndërlikuar ta krijojmë një lidhje të fortë shkakore, përcjell Koha.net.

Ekipi gjithashtu thekson se efekti i disponimit ishte i rëndësishëm vetëm për një nga variacionet e gripit në vaksinën e atij viti, H1N1 - dhe pjesëmarrësit i kishin nivelet më të vogla të antitrupave për këtë para vaksinimit.

“Një shpjegim është se çdo ndikim i faktorëve psikologjik ose të sjelljes në reagimet e antitrupave mund të vërehet vetëm kur reagimi imunitar i bartësit ndaj antigjenit është relativisht i dobët”, theksojnë ata.

Sido që të jetë, ekipi thotë se këto gjetje janë një pikë e mirë nisëse për ta hulumtuar më tej këtë efekt.

Dhe bazuar në të dhënat e deritanishme, ndoshta do të duhej të përpiqeni të keni disponim më të mirë herën tjetër kur do të merrni vaksinë kundër gripit. Kjo mund të ndihmojë.

Studimi u publikua në Brain, Behavior and Immunity.