Ndërsa rastet e ftohjes e gripave janë më të shpeshta me ftohjen e motit, ka disa gjëra që duhet ditur rreth ndryshimit që ka ndërmjet tyre, përfshirë edhe simptomat e variantit të fundit të virusit Covid.
Pasi simptomat janë shumë të ngjashme, njerëzit mund të mos e dinë nëse kanë grip, ftohje apo Covid.
Meqë varianti XEC i Covidit, i cili së pari u detektua në Gjermani në muajin qershor, është prezent në disa shtete, The Sun ka shkruar për dallimet në mes të simptomave për të tria gjendjet.
“Nëse jeni duke përjetuar simptoma të gripit apo Covidit, të tilla si temperaturë e lartë, kollë dhe ndjenja të lodhjes ndërkohë që keni dhimbje në trup, mundohuni ta shmangni kontaktin me persona të tjerë”, ka thënë doktori Jamie Lopez Bernal.
Simptomat e variantit XEC të Covidit
Ani pse të gjitha simptomat specifike ende nuk dihen, këtu përfshihen lodhja, kokëdhimbja, dhimbja e fytit, kolla e thatë dhe temperatura.
Humbja e shqisës së shijes dhe nuhatjes, janë raportuar nga tre për qind e atyre personave që janë infektuar në Britani.
Për personat që vuajnë nga Covidi, doktori ka këshilluar se duhet të pushojnë dhe të pinë mjaftueshëm ujë në mënyrë që organizmi të qëndrojë i hidratuar ndërkohë që duhet të përdorin ilaçe si paracetamoli për lehtësim të simptomave.
Simptomat e gripit
Për shumë njerëz që kanë dyshime se a janë ftohur apo janë me grip, në simptoma të gripit përfshihen: temperatura e lartë, dhimbje trupore, lodhja, kolla e thatë, dhimbje fyti, kokëdhimbje, vështirësi për të fjetur, humbje e oreksit, diarre, dhimbje barku, vjellje dhe mundim.
Kolla e thatë mund të jetë simptomë e ngjashme me personat që kanë Covid.
Simptomat e ftohjes
Rhinovirusi, i cili më së shpeshti njihet si ftohje e zakonshme, është infeksion i lehtë viral që qarkullon gjatë tërë vitit, simptomat e të cilit përfshijnë: bllokim dhe rrjedhje të hundës, dhimbje fyti, kokëdhimbje, kollë, teshtima, rritje të temperaturës, presion në vesh dhe fytyrë, humbje e shijes dhe nuhatjes.
Dallimi ndërmjet gripit dhe ftohjes është se ftohja nuk shkakton rritje të menjëhershme të temperaturës.
Mund të ketë më shumë bllokime në sinus dhe të krijojë ndjesinë se janë të mbushur, përkundër simptomave të gripit, që anojnë më shumë kah lodhja trupore.