Alopecia është çrregullim autoimun që prek miliona njerëz në mbarë botën. Mirëpo gratë, në veçanti ato me prejardhje afro-amerikane, janë më të rrezikuara. Bëhet fjalë për bukurinë dhe racën, për kulturën e pasigurinë që krijon çrregullimi rreth perceptimit të njerëzve për veten e tyre.
Kështu, gjatë ceremonisë së 94-t të ndarjes së çmimeve “Oscar” të dielën mbrëma, kur komediani Chris Rock bëri një shaka me Jada Pinkett Smith për rënien e flokëve, që disa e konsideruan si shaka e pakripë, ngjarja ekspozoi shumë shtresa ndjenjash për ata që luftojnë me këtë çrregullim.
Ai po ashtu hodhi në qendër të vëmendjes çrregullimin, i cili diskutohet pak, ama është mjaft i zakonshëm dhe prek një gamë njerëzish, përfshirë fëmijët.
Aktori Will Smith, i cili la gojëhapur miliona njerëz kur doli në skenë dhe goditi Rockun për shkak të shakasë që bëri, u ka kërkuar falje komedianit, akademisë dhe shikuesve.
Si është të vuash nga Alopecia?
Shakaja e Rockut ishte e vështirë për t’u dëgjuar edhe për stilisten e brendshme të Nju-Jorkut, Sheila Bridges.
Ajo kishte biseduar me Rockun për dokumentarin e tij të vitit 2009 “Good Hair” rreth rëndësisë së flokëve në kulturën e zezë. Kishte folur për turpin dhe poshtërimin e rënies së flokëve nga sëmundja, se si stilimi i flokëve ishte i ndërthurur me identitetin e saj racor dhe se si kjo humbje ndikoi në ndjenjën e saj të feminitetit.
Shuplaka në Oscars e la Bridges me emocione të përziera: Ajo e dënoi sulmin e Smithit ndaj Rcokut, bashkëndjeu me Pinkett Smith dhe ishte thellësisht e zhgënjyer nga Rocku.
“S’është e lehtë si grua të lundrosh në jetë pa flokë në një shoqëri që është e fiksuar pas tyre”, ka theksuar Bridges.
Pinkett Smith nuk mban paruke, sepse nuk dëshiron, e gjithashtu dëshiron që ta normalizojë dhe çstigmatizojë pamjen e grave tullace.
Ani pse ka kaluar një dekadë qëkur vendosi të shfaqej tullace në publik, Bridges ka treguar se ende është e vështirë për disa që ta pranojnë këtë: “Rrallëherë e kaloj javën pa thënë dikush diçka shumë të pahijshme”.
Teksa ende nuk është e qartë nëse Rocku ishte i vetëdijshëm për diagnozën e Pinkett Smith, flokët në përgjithësi mund të jenë peizazh i ngarkuar për gratë zezake, të cilat janë pritur me breza ta ndryshojnë strukturën e flokëve natyrale për t’iu përshtatur një standardi të bardhë bukurie. Bile edhe aktoret e pasura e të famshme afro-amerikane kanë thënë se mund të jetë e vështirë të gjesh stilistë të Hollivudit që dinë t’i rregullojnë flokët e tyre.
Gratë afro-amerikane kanë 80% më shumë gjasa të ndryshojnë flokët e tyre natyrale për t’i përmbushur normat sociale në punë, sipas një studimi të vitit 2019 nga divizioni i kujdesit personal Dove të kompanisë Unilever USA.
Studentët afro-amerikanë kanë gjithashtu shumë më shumë gjasa se studentët e tjerë që të pezullohen për kodin e veshjes ose të flokëve, sipas hulumtimit që ka ndihmuar ta bindte Dhomën e Shteteve të Bashkuara të votonte për të ndaluar diskriminimin në bazë të modeleve të flokëve natyrale.
“E vetmja gjë e mirë që doli nga e gjithë kjo ngjarje është së po mësohet më shumë për alopecinë”, është shprehur Bridges për shuplakën në “Oscars”.
Rëndësia e flokëve
Për shumë afro-amerikanë, zgjedhjet e rregullimit dhe stilit të flokëve janë të ndërthurura me dëshirën për të qenë pjesë e asaj që konsiderohet normale ose e pranueshme nga shoqëria e gjerë. Nga stili afro dhe cornrow deri te parukat e zgjatimet, flokët e zinj mund të jenë më shumë sesa thjesht deklarata stili.
Gratë dhe vajzat afro-amerikane që shikonin seancat e nominimit dhe konfirmimit të Gjykatës së Lartë për gjyqtaren Ketanji Brown Jackson kanë thënë në intervistën me AP se ishin të prekura kur panë dikë që i mban flokët në stilimin “sisterlocks”, stil që përdor qime natyrale të endura në mikro.
Duke parë dikë si Jackson t’i pranonte flokët e saj natyralë, në vend që të përputhej me standardet e bukurisë shoqërore, shërbeu si një kujtesë për ato gra dhe vajza që të mos tkurren në mënyrë që të kenë sukses, janë shprehur ato.
Për gratë afro-amerikane në sytë e publikut, humbja e krenarisë dhe përfaqësimit të simbolizuar nga modeli i flokëve të tyre mund t'u shtojë një shtresë tjetër sfidave profesionale dhe të vetëvlerësimit të rënies së flokëve.
Efekti i Alopecias?
Alopecia areata, çrregullimi autoimun që ka Pinkett Smith, mund të bëjë që flokët të bien nga lëkura e kokës në copa. Mund t’i prekë edhe pjesët e tjera të trupit, siç janë qimet e vetullave a hundës.
Alopecia mund të shfaqet shpejt, është e paparashikueshme dhe mund të jetë tepër e vështirë për t’u përballur mendërisht, ka shpjeguar Brett King, ekspert i humbjes së flokëve në “Yale Medicine”.
“Imagjinoni sikur të zgjoheni sot duke ju munguar gjysma e një vetulle”, ka theksuar ai. “Është paparashikueshmëri, diçka e pabesë dhe e tmerrshme mendërisht, ngaqë nuk e keni kontrollin mbi të...është sëmundje që ua heq njerëzve identitetin”.
Ndonëse diskutohet rrallë, është në të vërtetë mjaft e zakonshme: shkaku i dytë më i madh i rënies së flokëve, pas tullacisë së modelit mashkullor apo femëror. Rreth 2% e njerëzve e kanë. Nuk është fizikisht e dhimbshme, në disa raste kalon spontanisht dhe mund të trajtohet.
Ndikimi i çrregullimit
Flokët janë një pjesë e madhe e pamjes së çdokujt dhe për femrat janë të lidhur me konceptet kulturore për atë që i bëjnë të duken femërore.
“Shumica e grave pritet të kenë flokë të mirë”, ka thënë William Yates, kirurg i certifikuar i rënies së flokëve me bazë në Çikago. “Jemi të vetëdijshëm se meshkujve u bien flokët dhe prapë duken “tullacë në mënyrë të lezetshme”, mirëpo një grua kur humbet flokët është shkatërruese”.
Gjendja gjithashtu tenton t’i godasë njerëzit kur ata janë relativisht të rinj. Shumica janë diagnostikuar para moshës 40 vjeç, dhe rreth gjysma e tyre janë fëmijë kur çrregullimi shfaqet për herë të parë, ka bërë të ditur Christopher English, dermatolog i certifikuar nga bordi për “Intermountain Healthcare” në Salt Lake City.
Të kesh këtë gjendje është veçanërisht e vështirë për adoleshentët, për të cilët ankthi i paraqitjes dhe presioni i bashkëmoshatarëve janë shpesh në kulmin e të gjitha kohërave, ka treguar Gary Sherwood, drejtor i komunikimit në Fondacionin Kombëtar të Alopecia Areata. Në Elkhart, Indiana, një vajzë 12-vjeçare me këtë çrregullim, vrau veten këtë muaj pasi u ngacmua në shkollë.
“Shakaja e Rockut ishte ‘jo aq e pazakontë’”, ka theksuar Sherwood. “Kjo ka ekzistuar për aq kohë sa ka pasur njerëz në Tokë ... por thjesht nuk është folur për shekuj me radhë”.
Ai shpreson se nga kjo shuplakë në “Oscars” të nxirret një rezultat i mirë nga ana edukative, ajo e ndërgjegjësimit dhe ndjeshmërisë.
Përktheu: Blerta Haxhiu